SBAShK-u kundër shtyrjes sërish të mësimit: Orët s’do të mund të zëvendësohen

20.09.2021

Kanë mbetur pothuajse edhe rreth 10 ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022, ku për një gjë të tillë kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se janë të gatshëm për fillimin e procesit mësimor. Sipas Jasharajt, SBAShK-u me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë […]

SBAShK-u kundër shtyrjes sërish të mësimit: Orët s’do të mund të zëvendësohen Foto: Ilustrim

Kanë mbetur pothuajse edhe rreth 10 ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022, ku për një gjë të tillë kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se janë të gatshëm për fillimin e procesit mësimor.

Sipas Jasharajt, SBAShK-u me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura.

Kryetari i sindikatës së arsimit ka theksuar se nuk duhet të ketë përsëri shtyrje të mësimit për shkak të problemeve që mund të paraqiten me zëvendësimin e orëve mësimore.

Po ashtu, ai ka shtuar se mësimdhënësit e Kosovës kanë të gatshëm për fillimin e procesit mësimor, ku këtë gatishmëri sipas tij e kanë shprehur edhe para 13 shtatorit.

“Mësimdhënësit e Kosovës kanë qenë të gatshëm që sa i përket atyre të fillojnë procesin mësimor, edhe këtë gatishmëri e kanë shprehur edhe para 13 shtatorit, çdo shtyrje e procesit mësimor do të krijonte probleme shtesë për mundësinë e zëvendësimit të ditëve të humbura”, ka deklaruar Jasharaj për EkonomiaOnline.

Ndërsa sa i përket procesit të vaksinimit, Jasharaj tha se tashmë ka kaluar 90% i procesit të vaksinimit.

Ndryshe, ditë më parë drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Suharekë, Remzi Bajselmani në një prononcim për SuharekaOnline ka theksuar se kanë ndërmarrë të gjitha masat paraprake që procesi mësimor të fillojë sa më shpejtë.

Bajselmani më tutje ka theksuar se Komuna e Suharekës ka bërë të gjitha përgatitjet dhe se është e gatshme që viti i ri shkollor të fillojë me prezencë fizike, por kjo varet nga rekomandimet që jepen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se rreth 90 për qind (%) e mësimdhënësve në Komunën e Suharekës janë vaksinuar kundër COVID-19.