“Baba i grevave”: Kryeministër t’i kërkova si vëlla 100 euro për sektorin publik, ku të shkuan miliona euro

21.12.2024

Përmes një postimi në Facebook, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka bërë akuza të drejtpërdrejta ndaj Kryeministrit Albin Kurti, duke ngritur çështjen e mosaprovimit të një kërkese për shtesa prej 100 eurosh për punonjësit e sektorit publik.

“Baba i grevave”: Kryeministër t’i kërkova si vëlla 100 euro për sektorin publik, ku të shkuan miliona euro

Jasharaj ka theksuar se kërkesa për një shtesë prej 100 eurosh për punonjësit e arsimit, policinë, administratën dhe zjarrfikësit ishte modeste dhe plotësisht e realizueshme. Ai ka deklaruar se Kryeministri e refuzoi këtë kërkesë, duke theksuar se kishte buxhet të mjaftueshëm për të përmbushur këtë kërkesë, por zgjodhi të mos e bëjë.

“Kryeministër t’i kërkova si vëlla 100 euro për sektorin publik e nuk i lejove, ku të shkuan miliona euro?” ka shkruar Jasharaj.

Në postimin e tij, Jasharaj akuzon Kryeministrin Kurti për një qasje autoritare në qeverisje, duke e cilësuar atë si “sulltan” dhe jo si kryeministër i gjithë popullit.

“Mbase nuk na e plotësove kërkesën për 100 euro se të duheshin për dosta e për diçka tjetër,” shkruan ai.

Jasharaj gjithashtu ka adresuar akuzat dhe shpifjet që, sipas tij, janë bërë nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe disa figura të tjera ndaj tij dhe SBASHK-ut. Ai thekson se ka paraqitur të gjitha faktet dhe argumentet e tij përpara institucioneve të drejtësisë dhe është ndjerë i pastër në këto procese.

“Isha edhe para organeve të drejtësisë, e di këtë shpifësi Murati. Ua prezantova gjithë faktet dhe argumentet dhe unë dhe SBASHK-u jemi faqebardhë,” shtoi ai.

Shkrimi i plotë:

“Kryeministër t’i kërkova si vëlla 100 euro për sektorin publik e nuk i lejove, ku të shkuan miliona euro?

Kryeministër Kurti, as ti nuk kishe pritur atë rezultat të zgjedhjeve para 4 vitesh dhe kjo të nxori jashtë kontrollit dhe fillove të ndjehesh sulltan e jo kryeminisër i një vendi, populli i të cilit kishte bërë një rrugëtim të gjatë përcjellë me lot nënash e me plot sakrifica e duke përjetuar dhunën barbare të pushtuesit serb në burgje. U ndjeve, jo kryeminstër i gjithë popullit, por u bëre ndarës e përçarës dhe mllefi yt ndaj atyre që kanë merita e që kanë hyrë në faqet e ndritura të historisë u pa kur u bëre Sulltan.

Kryeministër më i madh ishe kur ishe i vogël në politikë dhe gëzoje mbështetje falë oratorisë dhe fjalëve të mëdha, që kur u ule në kolltuk i bastardove.

Kur ishe i vogël në politikë e pa kolltuk, në Pejë të prisnim unë e ca individë, që besonim në idealin për bashkim kombëtar dhe na mashtrove.

Duke u nisur nga këto takime pata besë dhe t’u drejova me: “Po të lus si vëlla e si kryeminiatër, ua jep punëtorëve arsimorë, policisë, administratës, zjarrfikësve e gjithë sektorit publik nga 100 euro në muaj që ta ndalej greva”, e ti pa pasur as edhe një ndjenjë dhemshurie më the prerazi se nuk je në siklet dhe më the vazhdo grevën deri në pranverë. Kryeministër, buxhet kishe mjaft, por nuk plotësove kërkesën modeste të mijëra punëtorëve arsimorë, të policëve dhe gjithë të punësuarve në sektorin publik. Mbase nuk na e plotësove kërkesën për 100 euro se të duheshin për dosta e për diçka tjetër.

Një këshillë nga unë Kryeministër. Ministri yt, Murati dhe gjithë shpifësit në facebook, nuk kishin lënë akuzë e shpifje e gënjeshtër pa bërë ndaj meje dhe SBASHK-ut dhe u dola përball. Isha edhe para organeve të drejtësisë, e di këtë shpifësi Murati. Ua prezanrova gjithë faktet dhe argumentet dhe unë dhe SBASHK-u jemi faqebardhë. Mos ikni nga mediat Kryeminiatër e as nga organet e drejtësisë përveç nëse e keni mizën në kapuç. Kryeministër, neve nuk na i dhe nga 100 euro për të blerë pak më shumë gjëra elementate, por, si duket të shkuan milionat ca andej e ca këndej.”

Etiketat

Ofertat e fundit