SBASHK-u: Takimi me Nagavcin pa rezultate, protesta e paralajmruar për nesër do të mbahet
Pas një konference për media të mbajtur të martën, përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) janë takuar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe zv.ministrin Taulant Kelmendi në ambientet e Ministrisë së Arsimit.
Në takim morën pjesë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, nënkryetarja Vjollca Shala, sekretari i përgjithshëm Ymer Ymeri dhe zyrtari ligjor Blendor Shatri. Sipas një njoftimi nga SBASHK-u, ky takim, megjithëse i shumëpritur, përfundoi pa arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
“Ky takim përfundoi pa asnjë rezultat, pasi ministrja Nagavci nuk ishte e gatshme të bisedojë konkretisht për kërkesat tona. Shprehim keqardhje për këtë qëndrim dhe për këtë arsye protesta e katërt e paralajmëruar do të mbahet nesër,” deklaroi SBASHK-u përmes një komunikate zyrtare.
SBASHK-u thekson se kërkesat e tyre janë të qarta dhe janë bërë publike prej kohësh, duke i cilësuar si legjitime dhe të arsyeshme për mirëqenien e punëtorëve të arsimit dhe zhvillimin e sektorit. Megjithatë, sipas sindikatës, ministrja Nagavci ka refuzuar të përfshihet në diskutime konkrete për këto kërkesa.
Kjo situatë ka shtyrë SBASHK-un të paralajmërojë një protestë të re, e katërta me radhë, duke kërkuar nga MASHTI angazhim më të madh dhe vullnet për dialog.