Reagon Ministria e Shëndetësisë: Pretendimet për moslejimin e mjekes nga diaspora nuk qëndrojnë
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar sot lidhur me pretendimet e paraqitura në emisionin “Diaspora” në Televizionin “Klan Kosova”, ku u tha se një mjeke nga diaspora nuk është lejuar të kontribuojë vullnetarisht në Kosovë.
Në njoftimin e saj, Ministria sqaron se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), përmes Divizionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, ka procedura të qarta për çdo profesionist shëndetësor që dëshiron të angazhohet vullnetarisht në Kosovë, dhe se nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për realizimin e një angazhimi të tillë.
Ministria njofton se në rastin konkret, nuk është pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga mjekja e përmendur për të dhënë kontributin e saj. Sipas tyre, mjekja është informuar nga drejtoria e Klinikës së Gjinekologjisë lidhur me procedurat e nevojshme, por ka zgjedhur të mos i ndjekë ato.
“Dorëzimi i kërkesës nuk është një pengesë për asnjë mjek të mërgatës apo të huaj që dëshiron të kontribuojë në Kosovë. Institucionet tona funksionojnë në bazë të rregullave dhe procedurave të qarta, të cilat janë të domosdoshme për ruajtjen e funksionimit të sistemit shëndetësor,” thuhet në reagimin e Ministrisë.
Ministria e Shëndetësisë ka ritheksuar se e vlerëson dhe e inkurajon angazhimin e profesionistëve shëndetësorë nga diaspora dhe mbetet e hapur për bashkëpunim me ta. Ajo fton të gjithë mjekët e interesuar që të kontaktojnë Divizionin për Bashkëpunim Ndërkombëtar në SHSKUK për të marrë udhëzimet e nevojshme për realizimin e kontributit të tyre.