Qeveria paralajmëron masa pas rritjes së çmimit të bukës dhe artikujve tjerë esencialë

13.07.2022

Dy mundësitë që janë duke u shqyrtuar janë çmimi tavan apo caktimi i marzhës. Hajdari ka thënë se në disa vende është shtrenjtuar buka, pavarësisht se çmimet e grurit dhe miellit “kanë rënë për 7%” dhe për këtë po analizojnë situatën në treg dhe lëvizjen e çmimeve të produkteve esenciale ndërsa njoftoi se e kanë […]

Qeveria paralajmëron masa pas rritjes së çmimit të bukës dhe artikujve tjerë esencialë Foto: Ilustrim

Dy mundësitë që janë duke u shqyrtuar janë çmimi tavan apo caktimi i marzhës.

Hajdari ka thënë se në disa vende është shtrenjtuar buka, pavarësisht se çmimet e grurit dhe miellit “kanë rënë për 7%” dhe për këtë po analizojnë situatën në treg dhe lëvizjen e çmimeve të produkteve esenciale ndërsa njoftoi se e kanë krijuar një grup të dytë punues për masën ligjore për produktet esenciale.

Sipas ministres, ky grup do të analizojë se çfarë masa ligjore duhet të merren për produkte si gruri, mielli, buka, sheqeri, orizi, kripa, vezët, sapuni, etj.

“Në realitet, gjersa ne jemi dëshmitarë të rritjes së çmimit të bukës në treg në disa vende, me këtë situatë ne në vazhdim të analizës që e ka sjellë grupi punues, ne shohim që kemi një dallim tepër të lartë”, tha ministrja.

Ajo iu bëri thirrje inspektorëve komunalë që të jenë më të angazhuar, ndërsa tha se Ministria është shumë aktive edhe pas orarit të punës.

Pas disa hulumtimeve që tha se u kryen edhe gjatë festës së Bajramit, ministrja Hajdari tha se marzha e artikujve esencialë, ndonëse tregu i lirë, ka dallim të lartë mes operatorëve ekonomikë.

Te disa kompani, ministrja tha se vërehet një tendencë për ta mirëkuptuar gjendjen me inflacion” përderisa te disa kompani tjera, tha se kjo tendencë po mungon.

Edhe kryetari i Shoqatës se Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, ka kërkuar që të mos spekulohet me çmimet.

Pas takimit, në një konferencë për media bashkë me ministren Hajdari, Zejnullahu tha se sivjet do të ketë mjaftueshëm grurë.

“Sot në takimin me ministren Hajdari dhe ministrin Peci, diskutuam për situatën aktuale të korrje-shirjeve për sezonin e këtij viti. Ne si shoqatë jemi të angazhuar duke e vëzhguar situatën në terren dhe jemi kompetent, duke marrë parasysh situatën globale me furnizime esenciale, që të kemi një furnizim stabil me grurë dhe miell për tregun e brendshëm”, tha ai.

“Do të kemi furnizim të mjaftueshëm. Do të krijohen furnizime sipas nevojës edhe nga tregje të jashtme që ne të kemi furnizim stabil”, shtoi Zejnullahu.