IQMT intensifikon kontrollet ndaj shitjes së duhanit
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet për parandalimin e shitjes së produkteve të duhanit te të miturit dhe luftimin e tregtimit të kundërligjshëm të tyre.
Foto: Ilustrim
Përveç kontrolleve ndaj shitjes së cigareve elektronike te të miturit, inspektimet tashmë përfshijnë edhe marketet e kategorive B dhe C, ku po verifikohet shitja e cigareve të zakonshme, dokumentacioni përkatës dhe origjina e produkteve.
Vetëm gjatë ditës së sotme, IQMT ka realizuar 10 inspektime në Gjakovë dhe Pejë, ndërsa si rezultat i kontrolleve janë shqiptuar dy urdhëresa për eliminimin e parregullsive.
Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, shitja e produkteve të duhanit te të miturit mund të dënohet me gjoba nga 1,000 deri në 10,000 euro.
Ndërkaq, për mungesë të dokumentacionit dhe mosdeklarim të origjinës së duhanit, gjobat mund të variojnë nga 3,000 deri në 9,000 euro.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë rastet e shitjes së cigareve dhe produkteve të tjera të duhanit te të miturit përmes numrit për ankesa në Viber: +383 46 311 000.
