MINTI monitoron çmimet e naftës: Nuk është evidentuar abuzim me çmimet
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se po monitoron në vazhdimësi çmimet e derivateve të naftës në territorin e Kosovës.
Foto: Ilustrim
Sipas MINTI-t, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), bazuar në çmimet e importit të deklaruara nga Dogana e Kosovës, deri më tani nuk ka evidentuar abuzim me çmimet e shitjes së derivateve.
Sipas të dhënave zyrtare, çmimi i importit të derivateve për 24 orët e fundit ka qenë 1.83 euro, ndërsa çmimi i shitjes në pompat e derivateve është lëvizur nga 1.92 deri në 1.94 euro.
Ndërkaq, çmimi i importit të benzinës ka qenë 1.54 euro, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë ka lëvizur nga 1.61 deri në 1.67 euro.
MINTI ka bërë të ditur se, në rast se gjatë monitorimit dhe verifikimit konstatohet abuzim me çmimet, do të shqyrtohet mundësia e rikthimit të vendimit për përcaktimin e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitjen me shumicë.
Ministria ka deklaruar se rritja e çmimeve të derivateve nuk vjen si pasojë e lëvizjeve të çmimeve brenda vendit, por lidhet me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritjen e çmimeve të furnizimit.
