Qeveria në detyrë merr 5 vendime në mbledhjen e sotme elektronike

22.08.2025

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike, gjatë së cilës ka marrë disa vendime të rëndësishme në fusha të ndryshme.

Sipas njoftimit, është vendosur që mandati i Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së veriut të vazhdohet deri më 15 tetor 2025.

Po ashtu, është miratuar plotësimi dhe ndryshimi i Statutit Nr. 01/2023 të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të funksionimit të këtij institucioni.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rialokim të mjeteve buxhetore në vlerë prej 105 mijë eurosh. Mjetet do të përdoren për mbulimin e obligimeve financiare në projektet kapitale: ndërtimi i zyrës regjionale për Inspektoratin e AUV-it në Ferizaj dhe ndërtimi i zyrës regjionale për Inspektoratin e AUV-it në Gjakovë.

Gjithashtu, janë miratuar dy kërkesa të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. E para lidhet me rritjen e kufirit të shpenzimeve në shumën prej 580,780 euro, për financim shtesë të projektit “Projekti i Kadastrit të patundshmërisë dhe infrastrukturës gjeohapësinore” nga fondet e huamarrjes. Ndërsa e dyta, ka të bëjë me ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 372,100 euro, për po të njëjtin projekt.

Në njoftim theksohet se këto vendime kanë për qëllim avancimin e projekteve të rëndësishme në fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe infrastrukturës.