Qeveria ndan mbi 300 mijë euro për tekstet shkollore për Luginën e Preshevës

10.10.2025

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e saj të 271-të, në format elektronik, gjatë së cilës janë miratuar disa vendime me rëndësi të veçantë në fushat e arsimit, financave dhe nderimit të figurave të shquara të vendit.

Në kuadër të kësaj mbledhjeje, është miratuar ndarja e mbi 304 mijë eurove, në bazë të Memorandumit të nënshkruar me Këshillin Kombëtar Shqiptar, për të siguruar 35,448 tekste shkollore për 3,650 nxënës shqiptarë të shkollave fillore në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ky vendim synon të përmirësojë kushtet arsimore për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe të forcojë përkrahjen institucionale të Kosovës për ta.

Pjesë e këtij fondi do të shfrytëzohet gjithashtu për avokimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës së Preshevës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare relevante.

Në aspektin financiar, kabineti qeveritar ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje buxhetore, sipas specifikimeve në Aneksin A (kursimet) dhe Aneksin B (ndarjet).

Në shenjë respekti dhe nderimi për Heroin Afrim Bunjaku, zyrtarin policor të rënë në krye të detyrës gjatë sulmit terrorist në Banjskë, Qeveria ka ndarë 50 mijë euro për familjen Bunjaku, për ndërtimin e një hapësire pritjeje për qytetarët, si kujtim për jetën dhe veprën e tij.

Po ashtu, është ndarë një fond prej 200 mijë eurosh për renovimin e një objekti në Mitrovicën e Veriut, i cili do të përdoret nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, respektivisht nga Administrata Tatimore e Kosovës.