Qeveria miraton 2.5 milionë euro shtesë për rimbursimin e teksteve shkollore
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës është miratuar kërkesa e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për ndarjen e 2.5 milionë eurove shtesë, të cilat do të përdoren për përmbylljen e procesit të rimbursimit të teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit në të gjithë vendin.
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ky vendim ka për qëllim finalizimin e këtij procesi të rëndësishëm për familjet dhe nxënësit.
“Bëhet fjalë për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 2.5 milionë euro, që është kërkesë e MASHTI-t, në mënyrë që të përmbyllet edhe pjesa e mbetur e rimbursimeve për blerjen e materialeve dhe teksteve mësimore”, u shpreh Murati.
Ky është një hap tjetër në kuadër të politikave sociale dhe arsimore që synojnë të lehtësojnë barrën financiare të prindërve dhe të sigurojnë kushte më të mira për mësim për nxënësit e Kosovës.
Ndërkohë, MAShTI ka njoftuar të gjithë koordinatorët e shkollave se platforma për verifikimin e aplikimeve për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore në e-Kosova do të qëndrojë e hapur deri të premten, më 10 tetor 2025, në orën 23:59. Prandaj, prindërit dhe kujdestarët ligjorë që ende nuk e kanë përfunduar procesin e aplikimit, duhet të veprojnë brenda afatit të caktuar.
Kjo është një nga shumë masat e ndërmarra nga Qeveria dhe MAShTI për të rritur qasjen dhe barazinë në arsim, në një periudhë kur përkrahja institucionale për familjet me fëmijë në shkolla po shihet si e domosdoshme.