Qeveria e Luksemburgut dhe UNICEF ndihmojnë Kosovën me 7.6 tonë pajisje të mbrojtjes personale

Korona virusi është ende i pranishëm në mesin tonë, të gjithë po bëjmë përpjekje për ta kaluar këtë virus, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për ta luftuar këtë virus, UNICEF-i, me përkrahjen e Qeverisë së Luksemburgut, sot i dhuroi Ministrisë së Shëndetësisë një donacion prej 7.6 ton (1,160.000 copë) pajisje personale mbrojtëse shtesë.

Nga kjo shumë e furnizimeve, 10% do të dërgohen në Qendrat Shëndetësore të Graçanicës dhe Mitrovicës së Veriut.

Grupi i katërt përmban: 2,000 kostume mbrojtëse me mbulim të tërësishëm, 600,000 dorëza HE, 3,000 mburoja të fytyrës, rezistente ndaj mjegullimit; 200,000 kapela klinike; 155,000 maska FFP2/N95 dhe 200,000 maska klinike.

Në njoftim thuhet se UNICEF-i do të vazhdojë t’i mbështesë veprimet parandaluese në komunitete për ta mbrojtur shëndetin e fëmijëve dhe prindërve e kujdestarëve të tyre. “Me këto furnizime, programi i vizitave në shtëpi dhe punëtorët shëndetësorë të mbështetur nga UNICEF-i, do të ndjehen të sigurt për të realizuar vizita në shtëpi, për t’i përkrahur gratë shtatzëna dhe gjidhënëse si dhe fëmijët në tërë Kosovën”.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka falënderuar Qeverinë e Luksemburgut për donacionin e ofruar përmes UNICEF-it.

Ndërkohë që e ngarkuara me punë e Qeverisë së Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes tha se Luksemburgu është mirënjohës ndaj UNICEF-it për koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta dhe sjelljen e PPE-ve të nevojshme në Kosovë.

“Luksemburgu vazhdon të mbështesë Kosovën në këto periudha të vështira dhe ne jemi të lumtur që mund të mbështetemi te partnerët tanë për këtë. PPE-të janë një pjesë thelbësore në luftimin dhe parandalimin e COVID-19 dhe ne përsëri i inkurajojmë të gjithë të respektojnë masat mbrojtëse në vend”, tha ajo.

Gjatë javëve të ardhshme, në konsultim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe OBSH-në, UNICEF-i do të sjellë pajisje shtesë të mbrojtjes personale (PMP) për punëtorët shëndetësorë në vijë të frontit.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.