Kurti merr pjesë në pritjen për Ditën Kombëtare të Luksemburgut: “Miqësia jonë është e veçantë dhe e palëkundur”

para 26 dite

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Dukatit të Madh të Luksemburgut.

Kurti merr pjesë në pritjen për Ditën Kombëtare të Luksemburgut: “Miqësia jonë është e veçantë dhe e palëkundur”

Gjatë fjalës së tij në këtë ngjarje, Kurti vlerësoi miqësinë mes dy vendeve, duke kujtuar njohjen e hershme të pavarësisë së Kosovës nga Luksemburgu, vetëm disa ditë pas shpalljes së saj në shkurt të vitit 2008.

“Vendet tona ndajnë një miqësi të veçantë. Dukati i Madh i Luksemburgut ishte ndër të parët që njohu pavarësinë e Kosovës. Kjo mbështetje e shpejtë dhe e palëkundur është diçka që do ta kujtojmë gjithmonë me mirënjohje të thellë”, u shpreh Kurti, duke uruar popullin e Luksemburgut për ditën e tyre kombëtare.

Ai theksoi më tej kontributin e vazhdueshëm të Luksemburgut në zhvillimin e Kosovës në fusha kyçe si arsimi, trajnimi profesional, punësimi, zhvillimi lokal, shëndetësia, mbrojtja e mjedisit, shoqëria civile dhe iniciativat sociale. Sipas Kurtit, Luksemburgu ka dhënë gjithashtu mbështetje të rëndësishme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe ndihmë teknike në sektorin financiar dhe në procesin e integrimit evropian të vendit tonë.

“Ky nivel angazhimi e bën Luksemburgun donatorin më të madh për Kosovën për kokë banori nga vendet donatore”, shtoi ai.

Kurti kujtoi edhe nënshkrimin e Memorandumit të tretë të Mirëkuptimit mes dy vendeve në verën e vitit 2022, i cili mbulon periudhën 2023–2025 dhe përqendrohet në fusha si shëndetësia, tranzicioni energjetik, ndryshimet klimatike, trajnimi profesional dhe mbështetja për shoqërinë civile.

“Angazhimi i vazhdueshëm i Luksemburgut ka ndihmuar në forcimin e demokracisë në Kosovë. Ne besojmë se angazhimi ynë për qeverisje të mirë dhe progres na bën një partner të natyrshëm dhe të merituar për integrimin në BE dhe NATO”, përfundoi Kurti.

Etiketat

Ofertat e fundit