Publikohet agjenda e mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
Qeveria e Kosovës ka publikuar agjendën e mbledhjes së përbashkët me qeverinë e Maqedonisë së Veriut, e cila do të mbahet të hënën në Prishtinë. Ky takim pritet të shënojë një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme.
Mbledhja e nivelit të lartë do të nisë me një takim bilateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickoski. Ky takim dy palësh është planifikuar të fillojë në orën 11:20. Paralelë me këtë takim, do të mbahen edhe takime bilaterale mes ministrave të dy qeverive.
Në orën 12:00 pritet të nisë mbledhja e plotë ndërqeveritare, ku do të diskutohen çështje të rëndësishme për të dy vendet, siç janë bashkëpunimi ekonomik, infrastruktura, energjia, kultura dhe integrimet euro-atlantike.
Një moment kulmor i kësaj mbledhjeje do të jetë ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale, e cila është parashikuar të fillojë në orën 13:30. Pas ceremonisë së nënshkrimit, kryeministrat Kurti dhe Mickoski do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ku do të informojnë opinionin publik për rezultatet e këtij takimi të rëndësishëm.
Ky takim i nivelit të lartë vjen në një kohë kur të dy vendet janë të angazhuara në procesin e integrimit euro-atlantik dhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh konsiderohet si një faktor kyç për suksesin e këtij procesi.