Studentët nga Kosova thërrasin protestë para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut për mbrojtjen e gjuhës shqipe
Studentët e Kosovës kanë bërë thirrje për një protestë paqësore më 5 qershor, para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, në shenjë kundërshtimi ndaj, siç thonë ata, cenimit të së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në provimet e tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut.
Foto: Ilustrim
Përmes një njoftimi publik, studentët kanë ftuar qytetarët, profesorët, organizatat studentore dhe shoqërinë civile që t’u bashkohen në këtë protestë, duke theksuar se gjuha shqipe është një e drejtë themelore e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe jo privilegj.
“Ne besojmë se arsimi, profesioni dhe e ardhmja e të rinjve nuk duhet të pengohen nga barriera gjuhësore të vendosura padrejtësisht”, thuhet në thirrjen për protestë.Protesta do të mbahet më 5 qershor, duke filluar nga ora 14:00, para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë.
Studentët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në mbrojtje të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.
