Thirrjet raciste në ndeshjen basketbolli në Kumanovë, reagime të forta nga Kosova, Shqipëria dhe përfaqësuesit shqiptarë në RMV
Një incident i rëndë me thirrje raciste dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve është regjistruar të shtunën mbrëma, më 2 gusht 2025, në Sallën e Sporteve në Kumanovë, gjatë ndeshjes kualifikuese të basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Foto: Ilustrim
Thirrjet fyese dhe raciste, të cilat dyshohet se janë bërë nga tifo-grupi “Kumani”, përfshinin fraza si:
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri Maqedoni nuk do të zhduket. Maqedoni, e pastër”.
Kjo gjuhë e rëndë u dëgjua në prani të disa prej zyrtarëve më të lartë shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrin Ivan Stoillkoviq, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski, dhe kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
E gjithë skena u transmetua drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) në YouTube, duke shkaktuar valë reagimesh në nivel vendor, rajonal dhe ndërkombëtar.
Zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti, dënoi ashpër ngjarjen, duke e cilësuar si një sulm ndaj bashkëjetesës dhe barazisë që e bën Maqedoninë e Veriut unike. Ai kërkoi zbardhjen e menjëhershme të rastit dhe masa konkrete për të mos lejuar përsëritjen.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se incidenti nuk ishte vetëm një “turp për sportin”, por edhe një goditje e rëndë ndaj idesë së një shoqërie multietnike. Ai tha se Maqedonia e Veriut duhet të ndërtohet si mozaik kulturor me frymë të përbashkët.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ngriti shqetësimin se thirrjet raciste ndodhën në prani të kryeministrit dhe zyrtarëve tjerë shtetërorë, pa asnjë reagim nga ana e tyre. Ai kërkoi që institucionet të reagojnë qartë dhe publikisht.
Partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar dorëheqjen e dy zëvendësministrave nga radhët e VLEN-it, Astrit Iseni dhe Safije Sadiki Shaini, duke i konsideruar përgjegjës për mungesën e reagimit.
BDI gjithashtu i bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve shqiptarë në qeveri që të distancohen publikisht nga ky akt ofendues dhe diskriminues.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi menjëherë pas incidentit, duke i quajtur thirrjet antishqiptare të papranueshme dhe cenim të frymës së bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.
Ajo shprehu shqetësim të veçantë për mungesën e reagimit nga zyrtarët shtetërorë të Shkupit, të cilët, sipas saj, po i japin hapësirë retorikave të urrejtjes që minojnë tolerancën ndëretnike.
“Sporti duhet të jetë mjet bashkimi, jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen,” theksoi ajo.
Osmani u bëri thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të marrin masa urgjente dhe të ndëshkojnë përgjegjësit, duke mbrojtur vlerat e barazisë dhe tolerancës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cilësoi thirrjet si të papranueshme dhe fashiste, ndërsa e akuzoi edhe kryeministrin në detyrë të Kosovës për heshtje.
Ai theksoi se shqiptarët janë komb shtetformues në RMV dhe kërkoi reagim të qartë nga qeveria maqedonase.
Deputetja e LDK-së, Dorasa Kica-Xhelili, shkroi se incidenti ishte “zhurmë primitive e një mendësie të kalbur” dhe e konsideroi heshtjen e përfaqësuesve shqiptarë në qeveri si bashkëfajësi.
Ndërsa Daut Haradinaj nga AAK akuzoi kryeministrin Kurti se është kumbarë i kësaj qeverie në Shkup dhe se heshtja e tij po shoqërohet me “klithma të urrejtjes ndaj shqiptarëve”.
Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha se ngjarja ishte “e papranueshme” dhe kujtoi se gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport, një arenë që duhet të përçojë vlera të bashkëpunimit dhe respektit.
Ajo kërkoi reagim më të fortë nga zyrtarët më të lartë të RMV-së, dhe theksoi se bashkëjetesa ndëretnike është një vlerë themelore e rrugës drejt Bashkimit Evropian.
Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, deklaroi se ngjarja është “një alarm për të gjithë” dhe kërkoi masa konkrete nga autoritetet.
Edhe Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC) reagoi ashpër, duke theksuar se thirrjet për dhoma gazi dhe urrejtje raciste janë të papranueshme në një shtet që aspiron anëtarësimin në BE dhe NATO.
Ata kërkuan që autorët dhe organizatorët e këtyre thirrjeve të përballen me pasoja ligjore dhe dënuan heshtjen e udhëheqjes shtetërore si mungesë e guximit moral.
Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka njoftuar se ka nisur hetime zyrtare për gjuhën e urrejtjes që u dëgjua gjatë ndeshjes.
Janë lëshuar udhëzime për analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe identifikimin e personave përgjegjës që thirrën slogane raciste në tribunat sportive.
Ngjarja e ndodhur në Kumanovë nuk ishte vetëm një incident sportiv, por një test i rëndë për vlerat demokratike, bashkëjetesën ndëretnike dhe përkushtimin ndaj standardeve evropiane.
Reagimet e shumta nga faktorë politikë, institucionalë dhe shoqërorë tregojnë se diskursi i urrejtjes nuk kalon pa pasoja – as në sport, as në jetën publike.
Institucionet e Maqedonisë së Veriut ndodhen tani nën presionin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar, për të zbardhur rastin, ndëshkuar përgjegjësit dhe garantuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.