Tragjedi në Maqedoni të Veriut: 59 të vdekur dhe mbi 150 të lënduar nga zjarri në diskotekë
Një zjarr shkatërrues ka marrë jetën e së paku 59 personave dhe ka lënduar mbi 150 të tjerë në një diskotekë në qytetin e Koçanit, Maqedonia e Veriut.
Foto: Ilustrim
Ngjarja ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, gjatë një koncerti ku ishin të pranishëm rreth 1.500 persona.
Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pance Toshkovski, deklaroi në një konferencë për media se ekipet mjekësore janë mobilizuar në të gjithë vendin për të ofruar ndihmë të lënduarve. Ai konfirmoi se zjarri dyshohet të ketë shpërthyer nga mjetet piroteknike të përdorura gjatë koncertit.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski para pak çastesh deklaroi se numri i viktimave nga tragjedia në Koçan ka shkuar në 59, derisa numri i të lënduarve është rritur në 155. Sipas Toshkovski në mesin e viktimave është edhe një polic. Polici sipas Toshkovskit ka qenë në detyrë dhe në kontroll për përdorim të lëndëve narkotike.
Ai shtoi se trupat e viktimave do të dërgohen në Shkup për obduksion dhe se përgjegjësit e kësaj tragjedie, përfshirë organizatorët, do të përballen me drejtësinë. “Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Publike dhe me të gjitha organet tjera për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie,” theksoi ministri.
Reagime nga liderët e Kosovës
Tragjedia ka prekur mbarë rajonin, duke sjellë reagime dhe ngushëllime nga liderët e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu pikëllimin dhe solidaritetin e tij për familjet e viktimave dhe popullin e Maqedonisë së Veriut.
“Me pikëllim të thellë mësova për humbjen shkatërruese të 51 jetëve në Koçan si pasojë e një shpërthimi tragjik zjarri. Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet që humbën më të dashurit e tyre, si dhe për liderët dhe qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë,” shkroi Kurti.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi ndaj ngjarjes së rëndë, duke e quajtur atë një tragjedi të papërshkrueshme.
“Lajme shkatërruese nga Koçani, Maqedonia e Veriut. Humbja e kaq shumë jetëve të reja është një tragjedi përtej fjalëve,” shkroi Osmani në rrjetin social “X”, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe duke theksuar solidaritetin e Kosovës me popullin maqedonas në këtë moment të vështirë.
Autoritetet lokale dhe ekipet hetimore po punojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shkaqet e plota të kësaj fatkeqësie, ndërsa rajoni mbetet i tronditur nga tragjedia që ka marrë kaq shumë jetë njerëzish.