Protesta kundër Trendafilovës: Molliqajt dhe aktivistëve tjerë të PSD-së u caktohet masa e ndalimit për 48 orë

29.11.2023

Partia Socialdemokrate ka njoftuar se kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistët e tjerë të arrestuar gjatë protestës së tyre kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, janë ndaluar për 48 orë. Kështu ka bërë të ditur PSD përmes një postimi në Facebook, duke e quajtur këtë vendim si politik dhe të […]

Protesta kundër Trendafilovës: Molliqajt dhe aktivistëve tjerë të PSD-së u caktohet masa e ndalimit për 48 orë Foto: Ilustrim

Partia Socialdemokrate ka njoftuar se kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistët e tjerë të arrestuar gjatë protestës së tyre kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, janë ndaluar për 48 orë.

Kështu ka bërë të ditur PSD përmes një postimi në Facebook, duke e quajtur këtë vendim si politik dhe të padrejtë.

Sipas tyre, përmes arrestimit dhe ndalimit të kryetarit Molliqaj dhe anëtarëve të tjerë, PSD po izolohet që vizita e Trendafilovës të jetë sa më normale, që siç thuhet në njoftim, ta “ndalin zërin opozitar dhe ta relativizojnë padrejtësinë e Speciales”.

“PSD izolohet që Trendafilovës t’i bëhet vizita sa më normale. Por lufta e saj për imazh është e humbur.

Prokuroria ka vendosur që kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, Zgjim Hysenit, Nol Nushit, Agron Kabashit, Korab Korçës dhe Gent Brahimit t’iu jepet masa e ndalimit për 48 orë.

Për ne ky vendim është politik dhe i padrejtë. Kështu po provohet ta ndalin zërin opozitar, ta relativizojnë padrejtësinë e Gjykatës Speciale.

Për PSD-në ky vendim është i papranueshëm dhe kërkojmë lirimin e aktivistëve tonë.” – thuhet në njoftim.