Profesorët e mjekët duhet ta deklarojnë pasurinë, Jasharaj i SBASHK-ut e sheh si vendim tendecioz të Qeverisë
Gjatë kësaj mbledhje u propozuan dhe u miratuan disa kërkesa. Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, në këtë mbledhje të Qeverisë ka propozuar një kërkesë që mjekët dhe profesorë, të cilët punojnë në institucionet publike të futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë, siç kanë bërë deri tash këta zyrtarë. Kërkesa e…
Gjatë kësaj mbledhje u propozuan dhe u miratuan disa kërkesa.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, në këtë mbledhje të Qeverisë ka propozuar një kërkesë që mjekët dhe profesorë, të cilët punojnë në institucionet publike të futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë, siç kanë bërë deri tash këta zyrtarë.
Kërkesa e zv.ministrit të Drejtësisë u miratua me shumicë votash nga të pranishmit në sallën e mbledhjes, duke filluar nga kryeministri, ministrat si dhe zëvendësministrat.
Sallahu tha se në kategorinë e zyrtarëve publikë janë shtuar mjekët si dhe profesorët në institucionet publike.
“Është bërë një kategorizim i ri i zyrtarëve publikë që do të deklarojnë pasurinë. Në kategorinë e zyrtarëve publikë janë shtuar mjekët dhe profesorët në institucionet publike”, ka thënë zëvendësministri i Drejtësisë.
Ndërkaq, pas miratimit të kërkesës nga ana e Qeverisë, i hapet rrugë për miratimin në Kuvend projektligjit me ndryshime për deklarimin e pasurisë dhe të dhuratave.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Bashkuar e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj për GazetënExpress ka thënë se Qeveria ka pasur punë tjera për të bërë, duke shtuar se gjendja e punëtorëve të arsimit është e rëndë.
I pari i SBAShK-ut ka vënë dyshimin e tij se ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj veprimit të fundit të sindikatave të vendit, këto veprime si kërkesë për miratimin e Ligjit për Pagat.
“Konsideroj që Qeveria ka mjaft punë të tjera për të bërë. Sidoqoftë është vendim i Qeverisë dhe po them duke bërë këtë vlerësim dhe duke i detyruar punëtorët e arsimit, e mbase kanë menduar vetëm për ligjëruesit në Fakultet, por nëse e kanë menduar për të gjithë atëherë edhe Qeveria do ta shoh që punëtorët e arsimit shumica e tyre janë me paga nën nivelin mesatar në Kosovë dhe jetojnë një jetë, po them me gjuhën më të butë, modeste me plot probleme, me kredi”, ka thënë ai.
“Qeveria po mundet ta bëjë këtë, pse jo është mbase një përgjigje ndaj angazhimeve tona ndoshta mendon për të na hequr kështu, por ne jemi në Kosovë, jetojmë në Kosovë dhe do t’i kryejmë të gjitha obligimet e tona, por edhe njëherë po them që Qeveria ka shumë punë, për të bërë pa u marrë me këto imtësia”.
Gjithashtu, Jasharaj i ka bërë thirrje Qeverisë së vendit që t’i marrë në konsideratë letrat që po u vijnë lidhur me raportet me sindikatat.