Përfundon sot afati për deklarimin e pasurisë, mbi 900 zyrtarë ende nuk e kanë nisur procesin
Sot përfundon afati ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 për të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë.
Foto: Ilustrim
Sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave, të gjithë personat zyrtarë kanë qenë të obliguar ta kryejnë këtë proces deri më 31 mars.
Megjithatë, nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) është bërë e ditur se një numër i konsiderueshëm ende nuk e kanë përmbushur këtë detyrim.
Të dhënat e fundit tregojnë se 1,195 zyrtarë publikë e kanë nisur deklarimin, por nuk e kanë përfunduar ende, ndërsa 901 të tjerë nuk e kanë filluar fare procesin.
APK ka paralajmëruar se mosdeklarimi, vonesa apo deklarimi i pasaktë i pasurisë përbëjnë shkelje ligjore dhe mund të ndëshkohen me gjoba, kallëzime penale dhe masa të tjera ndëshkuese.
Në raste të caktuara, mund të shqiptohen edhe dënime me burgim dhe konfiskim i pasurisë së padeklaruar.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, u ka bërë thirrje zyrtarëve publikë që ta përmbushin këtë obligim brenda afatit, duke theksuar se transparenca është thelbësore për ndërtimin e besimit qytetar dhe integritetit institucional.
Ndërkohë, këtë vit në mesin e subjekteve deklaruese janë përfshirë edhe kategori të reja si mjekët dhe profesorët, të cilët i nënshtrohen të njëjtave detyrime ligjore për deklarimin e pasurisë.
