Produktet e Kosovës së shpejti me barkoda ndërkombëtare

23.10.2025

Produktet e Kosovës do të kenë së shpejti barkodat ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e sistemit global të identifikimit të produkteve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka zhvilluar një takim frytdhënës me kryetaren e Fondacionit GS1 Turqi, Elif Muftuoglu, ku është diskutuar për hapat përfundimtarë drejt anëtarësimit të Kosovës në rrjetin ndërkombëtar të barkodave GS1.

Sipas njoftimit të OEK-ut, gjatë takimit Rafuna ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të GS1 Turqisë në këtë proces, që do të mundësojë identifikim dhe njohje globale të produkteve vendore.

Në komunikatën e OEK thuhet se, falë këtij bashkëpunimi, GS1 Kosova pritet të nisë së shpejti lëshimin e barkodave ndërkombëtare, duke i hapur rrugë produkteve kosovare për prezencë dhe konkurrueshmëri më të madhe në tregjet ndërkombëtare.

Ky zhvillim pritet të rrisë vlerën, besueshmërinë dhe sigurinë e produkteve të Kosovës, duke sjellë përfitime si për konsumatorët vendorë, ashtu edhe për ata jashtë vendit.

Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur falënderim të veçantë për GS1 Turqinë dhe kryetaren Muftuoglu për bashkëpunimin e sinqertë dhe përkrahjen profesionale në këtë proces me rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit.