Presidentja Osmani vazhdon takimet me liderët politikë, pret Faton Pecin dhe Nenad Rashiqin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vazhduar sot takimet konsultative me liderët e partive politike në përpjekje për të gjetur zgjidhje ndaj ngërçit institucional pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Në kuadër të këtyre takimeve, Osmani priti sot në presidencë kryetarin e Listës “Guxo”, Faton Peci, pastaj dhe kreun e Partisë Demokratike Progresive nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.
Pas takimit, Peci deklaroi se presidentja ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë në zhbllokimin e situatës aktuale. Ai theksoi se presin reflektim nga partitë e tjera politike për arritjen e një konsensusi përpara afatit kushtetues të 26 korrikut.
“Ne duam të besojmë që në ditët në vijim partitë opozitare do të kenë mundësinë e reflektimit dhe të gjetjes së një konsensusi. I bëj apel partive politike që t’i thërrasin arsyes dhe të mundësojnë konstituimin e Kuvendit”, tha Peci.
Ai gjithashtu u shpreh se propozimi për Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit nuk është pengesë dhe u la të kuptohet se ky emërim do të vazhdojë të mbështetet nga subjekti i tij.
Sa i përket pasojave në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, Peci theksoi se ekzistojnë paqartësi rreth interpretimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai përmendi mundësinë që presidentja t’i drejtohet vetë Kushtetueses për sqarime të mëtejshme.
Presidentja Osmani ka intensifikuar konsultimet me liderët politikë pas 40 tentativave të pasuksesshme për të konstituuar legjislaturën e re të Kuvendit, që nga publikimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 26 qershor, i cili përcakton një afat 30-ditor për konstituimin e saj.
Takimet e sotme me Faton Pecin dhe Nenad Rashiqin pasojnë një seri takimesh të mbajtura dje me liderët e Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Temë qendrore e të gjitha këtyre takimeve mbetet tejkalimi i bllokadës parlamentare dhe gjetja e një zgjidhjeje për funksionalizimin e institucioneve.