Posta e Kosovës përkujton 80-vjetorin e “Rilindjes” me pullë të re postare
Me rastin e 80-vjetorit të daljes së gazetës së parë të shkruar në Kosovë, “Rilindja”, Posta e Kosovës ka lëshuar një pullë të re postare. Kjo pullë përkujton kontributin e paçmuar të gazetarëve, redaktorëve dhe të gjithë punonjësve të kësaj gazete që nga numri i parë i botuar më 12 shkurt 1945.
“Botimi i numrit të parë të gazetës kërkonte shumë përkushtim dhe punë, megjithatë falë angazhimit të madh të punonjësve, u arrit që shkronjat e gjuhës shqipe të punoheshin manualisht, në mënyrë që gazeta “Rilindja” të ishte në duar të lexuesve nga 12 shkurti i vitit 1945″, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.
Gazeta “Rilindja” nuk ishte vetëm një burim informacioni, por edhe një shtytës i rëndësishëm i zhvillimeve shoqërore dhe kulturore në Kosovë. Ajo u angazhua në aksione të shumta për zhdukjen e analfabetizmit dhe arsimimin e gruas. Me kalimin e viteve, “Rilindja” u shndërrua në një gazetë ditore dhe një zë i fuqishëm i identitetit kombëtar.
Në periudhën e vështirë të viteve ’90, kur u ndalua botimi i saj, punonjësit e “Rilindjes” vazhduan të informojnë opinionin publik përmes gazetës “Bujku”. Kontributi i tyre ishte i jashtëzakonshëm në tejkalimin e sfidave dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, si dhe promovimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë.
Posta e Kosovës shpreson që kjo pullë jubile të shërbejë si një reflektim mbi rolin dhe ndikimin e “Rilindjes” në historinë e Kosovës dhe të shërbejë si motivim për të vazhduar misionin e saj fisnik në të ardhmen.
