Posta e Kosovës emeton pullë postare për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së

24.06.2026

Posta e Kosovës ka njoftuar se, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar në qarkullim një emision të jashtëzakonshëm të pullave postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky emision filatelik është realizuar në shenjë respekti për jubileun historik që shënon 250 vjet nga shpallja e pavarësisë së SHBA-së më 4 korrik 1776. Sipas Postës së Kosovës, emisioni përkujton trashëgiminë e qëndrueshme amerikane në promovimin e lirisë, demokracisë dhe zhvillimit në mbarë botën.

Në komunikatë theksohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e paqes, lirisë dhe zhvillimit global, ndërsa marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së përbëjnë një shembull të partneritetit dhe miqësisë së ngushtë ndërmjet dy vendeve.

Emisioni përbëhet nga një pullë postare me vlerë nominale prej 2.10 euro, e vendosur në një tabak me katër pulla, si dhe nga Zarfi i Ditës së Parë, i shoqëruar me Vulën e Ditës së Parë.

Përmes këtij emisioni, Posta e Kosovës i bashkohet kremtimeve të 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, duke nderuar idealet e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë që vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë.