Posta e Kosovës nderon regjisorin Bekim Lumi me pullë postare
Në nderim të figurës dhe veprës së regjisorit dhe pedagogut të mirënjohur kosovar Bekim Lumi (1966–2018), Posta e Kosovës, përmes Filatelisë, ka lëshuar sot në qarkullim një emision të ri të pullave postare.
Ky gjest përfaqëson një mirënjohje institucionale për kontributin e jashtëzakonshëm të Lumit në zhvillimin e teatrit shqiptar, si dhe në formimin artistik të shumë brezave të aktorëve dhe regjisorëve në Kosovë.
I njohur për regjitë e tij vizionare dhe avangarde, Bekim Lumi solli qasje të reja në skenën teatrore kosovare dhe më gjerë. Nga viti 2006 deri më 2010, ai drejtoi revistën teatrore “Loja”, ndërsa me shfaqjet e tij përfaqësoi vendin në festivale prestigjioze ndërkombëtare, në shtete si Zvicra, Franca, Gjermania, Italia, Greqia, Rumania, Bullgaria, Bosnja e Hercegovina e të tjera.
Puna e tij është vlerësuar me shumë çmime të rëndësishme, ndër të cilat veçohet çmimi kryesor për “Shfaqjen më të mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës (2006), për shfaqjen “Mësimi” të realizuar në Teatrin “Dodona”.
Në vitin 2016, Lumi u nderua me çmimin “Regjisor i vitit” nga Ministria e Kulturës, ndërsa në vitin 2019 mori shpërblimin “Regjia më e mirë e vitit” për shfaqjen “Arturo Ui”, që u shpall edhe “Shfaqja më e mirë e vitit”.
Në vitin 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi post mortem me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën teatrore.
Pas ndarjes së tij nga jeta, Qendra Multimedia ka botuar disa nga veprat e tij, përfshirë:
- “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” (2019) – studim krahasues,
- “Engjëlli blu” (2021) – përmbledhje me poezi,
- “Loja e Bekim Lumit” – një përmbledhje me kritika, shënime dhe shqyrtime mbi punën e tij artistike.
Përmes këtij emisioni të veçantë të pullave postare, Posta e Kosovës rikujton figurën e Bekim Lumit si një ikonë të teatrit dhe edukimit artistik, që vazhdon të jetë inspirim për brezat e rinj.