Posta e Kosovës emeton pullën postare “Engjëjt e Lirisë – Leotrimi i vogël” në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës

04.06.2026

Posta e Kosovës ka vënë në qarkullim emisionin filatelik “Engjëjt e Lirisë – shtatorja ‘Leotrimi i vogël’”, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve Viktima të Pafajshëm të Agresionit.

Sipas njoftimit të Postës së Kosovës, ky emision i kushtohet kujtimit të fëmijëve që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë dhe synon të ruajë kujtesën historike, të promovojë të drejtat e fëmijëve dhe vlerat e paqes.Pulla postare paraqet shtatoren “Leotrimi i vogël”, kushtuar Leotrim Ahmetit, i cili është shndërruar në simbol të kujtesës për fëmijët viktima të luftës në Kosovë.

Përmes këtij motivi filatelik, Posta e Kosovës thekson rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe ndërtimit të një shoqërie të bazuar në paqe, dinjitet dhe solidaritet.

Nga Posta e Kosovës bëhet e ditur se për realizimin e pullës është përdorur pamja e shtatores “Leotrimi i vogël”, vepër e skulptorit Sabri Behramaj, e siguruar nga Komuna e Skenderajt.Ky emision filatelik do të mbetet në qarkullim postar deri në konsumimin e plotë të tirazhit.