Posta e Kosovës paralajmëron qytetarët për mashtrime përmes SMS-ve
Posta e Kosovës ka lëshuar një paralajmërim të rëndësishëm për publikun, duke njoftuar se po qarkullojnë SMS-e mashtruese në emër të saj.
Sipas njoftimit të Postës së Kosovës, disa persona të panjohur po dërgojnë mesazhe të shkurtra (SMS) qytetarëve, duke u paraqitur si përfaqësues të kësaj poste. Këto mesazhe përmbajnë informacione të rreme dhe synojnë të mashtrojnë qytetarët.
Posta e Kosovës ka reaguar menjëherë pas marrjes së kësaj informate, duke njoftuar organet kompetente dhe duke bashkëpunuar me to për zbardhjen e këtij rasti.
“Ju lutemi mos klikoni në asnjë link të dërguar përmes këtyre mesazheve dhe të mos bashkëpunoni me numra që nuk janë të Postës së Kosovës. Në asnjë rast, Posta e Kosovës nuk do t’ju kërkojë të dhëna personale apo numër kartele bankare”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.
Posta e Kosovës thekson se komunikimi i saj zyrtar bëhet vetëm përmes kanaleve të saj zyrtare, siç janë uebsajti i saj, rrjetet sociale Facebook, Instagram dhe LinkedIn, si dhe numrat zyrtarë të telefonit.
Kjo nuk është hera e parë që ndodhin raste të tilla mashtrimi në emër të institucioneve. Prandaj, Posta e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve.