Pensionistët të pakënaqur me vendimin e Qeverisë për ndarjen e 100 eurove

16.12.2023

Pensionistët u shprehën të pakënaqur me mbështetjen financiare prej 100 eurosh për përfituesit e skemave pensionale dhe përfituesit e shtesave për fëmijë nga Qeveria e Kosovës. Sipas tyre kjo skemë do të jap mundësinë për më shumë manipulime. Ndërkaq, njohës të fushës kërkojnë që të bëhet një zgjidhje më afatgjate dhe jo të dhurohen donacione. […]

Pensionistët të pakënaqur me vendimin e Qeverisë për ndarjen e 100 eurove Foto: Ilustrim

Pensionistët u shprehën të pakënaqur me mbështetjen financiare prej 100 eurosh për përfituesit e skemave pensionale dhe përfituesit e shtesave për fëmijë nga Qeveria e Kosovës. Sipas tyre kjo skemë do të jap mundësinë për më shumë manipulime. Ndërkaq, njohës të fushës kërkojnë që të bëhet një zgjidhje më afatgjate dhe jo të dhurohen donacione.

“Ka të bëjë me shtesën e mbështetëse financiare prej 100 eurove për të gjithë përfituesit e skemave pensionale për muajin dhjetor. Marrë parasysh se pensionet e rregullta ekzekutohen këtë të premte ne do kemi të pamundur të ekzekutojmë shtesën në këtë datë, por gjatë javës në vijim do t’i njoftojmë pension-marrësit për ekzekutimin e kësaj shtese”, tha Hekuran Murati, ministër i Financave.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës, me propozim të Ministrisë së Financave, nga pensionistët po shihet se një ndihmë afatshkurtër. Sipas tyre institucionet duhet të bëjnë një zgjidhje të përhershme për ta.

“Për ne mjeranat, e fukaret e mosha e shtyme është shumë e mirë, ke kush ke në Qeveri, është e mirëseardhun…njëlloj ndihmese, jemi mbetë në baltë, të shtyn të qetë, e ti mandej a munesh me ecë a jo është dicka tjetër”, tha për RTV21 Halil Gosanci, pensionist.

Ka edhe pensionistë që e mirëpritën këtë shtesë, sadoqë e vogël.

“Kjo është mirë që jepin kështu, po ma shumë duhet me dhanë hala për pensionistët, sidomos këta që janë me social”, tha Reshat Sylejmani, pensionist.

Të tjerë mendojnë se kjo skemë është vetëm një hapësirë më shumë për manipulime,

“Po i krijojnë mundësitë me vjedhë ma shumë për veti sepse 50% kanë vdekë prej penzionerëve, edhe të mahershëm edhe tash”, tha Sefer Hakaj, pensionist.

Se Ministria e Financave po jep donacione e thotë njohësi i ekonomisë ekonomisti Adem Qorrolli. Sipas tij, për pensionistët nuk duhet të mendohet një ndihmë prej 100 eurosh, por të rriten pensionet për siç i quan ai kontributdhënësit e themelit të shtetit.

“Shtesat të cilat janë ndihmu nga Qeveria, janë shtesat që janë duke mbijetu në vendin tonë, sepse t’i shpërblesh penzionerët me 100 euro, kjo është një skandal institucional, por që i takon Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe jo Ministrisë së Financave, sepse kësaj Ministrie i Takon të mirret me ligjin e punës, të rritë koeficientin e pagës, të mirret me zbutjen e inflacionit dhe të mirret me gjëra madhore e investime kapitale dhe jo të mirret me donacione dhe ndihma të fundvitit, sepse po e kthejnë një kryeministër në rolin e babadimrit e që realisht e ardhmja po shpërblehet me 100 euro”, tha Qorrolli.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës, krahas miratimit të mbështetjes financiare prej 100 eurosh për përfituesit e skemave pensionale, miratuan shtesa për fëmijë për muajin dhjetor në vlerë po ashtu 100 euro.