PE miraton raportin për Kosovën, inkurajon reformat dhe rifillimin e dialogut me Serbinë

07.05.2025

Deputetët e Parlamentit Evropian (PE) kanë miratuar sot një raport për Kosovën, në të cilin inkurajohet shteti të vazhdojë me reformat e nevojshme për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Raporti thekson gjithashtu nevojën që Prishtina dhe Beogradi të hapin një kapitull të ri në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve.

Raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, u shpreh se “është e qartë që procesi integrues i Kosovës ka nevojë për një momentum të ri – na duhet një kapitull i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Është jashtëzakonisht pozitive që të gjitha partitë e mëdha politike në Kosovë mbështesin fuqishëm integrimin në BE. E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane dhe ne do të punojmë së bashku në agjendën e reformave sepse çdo anëtarësim në të ardhmen duhet të bazohet në meritë”.

Eurodeputetët vlerësojnë se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, “fatkeqësisht nuk ka prodhuar rezultatet e pritura”. Ata u bënë thirrje të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe duke kërkuar nga Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, të cilat rritën tensionet mes dy vendeve, dialogu politik në Bruksel ka ngecur që nga shtatori i vitit 2023, duke pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve. BE-ja ka theksuar vazhdimisht se normalizimi i raporteve është parakusht për rrugën evropiane të të dyja vendeve.

Në raportin e miratuar, PE-ja vlerëson se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në reformën zgjedhore, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Megjithatë, sfidat mbeten në reformat e gjyqësorit, lirinë e medias, efikasitetin e administratës publike dhe digjitalizimin e shërbimeve publike. Eurodeputetët theksuan se përkushtimi i vazhdueshëm ndaj reformave gjithëpërfshirëse dhe qeverisjes përfshirëse është thelbësor për përparimin e Kosovës drejt BE-së.

PE-ja gjithashtu vuri në dukje se Kosova ka qenë cak i ndërhyrjeve të huaja dhe fushatave dezinformuese, veçmas nga Rusia dhe Kina, me synim destabilizimin e rajonit dhe pengimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të forcojë kapacitetet e saj për të luftuar këto kërcënime.

Njëkohësisht, eurodeputetët miratuan edhe një raport për Serbinë, duke i kërkuar asaj të përmirësojë dialogun e brendshëm politik, të mbrojë sundimin e ligjit, të luftojë korrupsionin dhe të punojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, si dhe të harmonizojë plotësisht politikën e saj të jashtme me atë të BE-së.