Goditet kontrabanda në veri të Kosovës

9 orë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganën dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në disa lokacione në veri të vendit, duke sekuestruar mallra me vlerë mbi 200 mijë euro dhe mbi 22 automjete.

Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë, aksioni i së enjtes, 22 tetor, është rezultat i hetimeve intensive disamujore, të nisura në prill të këtij viti, lidhur me dyshimet për futjen ilegale të mallrave nga Serbia në Kosovë përmes rrugëve malore, duke iu shmangur kontrollit doganor.

Gjatë periudhës maj–shtator janë realizuar mbi 20 aksione në zonat kufitare dhe në komunat e Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.

Hetimet kanë zbuluar se për transportimin e mallrave përdoreshin automjete të modifikuara, kryesisht me ulëset e pasme të larguara, ndërsa drejtuesit e tyre shpesh i braktisnin automjetet sapo vërenin praninë e policisë.

Mallra mbi 200 mijë euro dhe dhjetëra automjete të sekuestruara

Në kuadër të aksioneve janë sekuestruar mbi 22 automjete, përfshirë kamionë, furgonë, xhipa dhe vetura, si dhe mallra me vlerë doganore mbi 200 mijë euro, pa përfshirë taksat dhe detyrimet e tjera.

Në mesin e mallrave të sekuestruara janë produkte ushqimore, pije alkoolike dhe joalkoolike, cigare, barna pa banderola, produkte higjienike dhe tekstil, përfshirë veshje me marka të mbrojtura tregtare pa autorizimin përkatës.

Në njërin prej rasteve janë gjetur edhe 504 shpezë të gjalla, pa dokumentacion mbi origjinën dhe pa certifikatë shëndetësore. Me vendim të inspektorit veterinar, ato janë asgjësuar për shkak të rrezikut që paraqisnin për shëndetin e njerëzve.

Prokuroria ka bërë të ditur se janë identifikuar personat e dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari, ndërsa hetimet po zhvillohen për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Tregtia e ndaluar”.

Sipas institucioneve, hetimet tashmë ndodhen në fazën përfundimtare dhe pas vlerësimit të provave të siguruara, Prokurori i Shtetit do të marrë vendimet përkatëse brenda afateve ligjore.