Pas marrëveshjes finale, Serbia do të detyrohet t’i tregojë varrezat masive të shqiptarëve

Qeveria e Kosovës në rast të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë do t’i vendosë një afat prej 18 muajve kësaj të fundit të tregojë lokacionet e varrezave masive për të pagjeturit. Në kuadër të kësaj marrëveshje ekzekutivi synon të marrë zotimin e Serbisë se do të ballafaqohet me të kaluarën e vet kriminale.

Në raportimin e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi dhe zyrtarëve tjerë institucionalë para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut lidhur me çështjen e personave të pagjetur në kuadër të dialogut me Serbinë, u tha edhe se janë arritur parimet bazë për çështjen e të zhdukurve. Por u adresuan kritika nga deputetët opozitarë për mungesën e transparencës në këtë proces, si dhe u kërkua të kushtëzohen dialogu pa adresimin e saktë të çështjes së pagjeturve.

Ministri Selimi tha se do të vazhdojë të jetë kundër dialogut teknik dhe se kjo çështje do të adresohet në çdo takim me Serbinë.

“Unë si i dërguari i AAK-së në dialog jam kundër dhe do të jem kundër dialogut teknik. Ne nuk kemi nevojë të bëjmë dialog teknik. Çështja e të pagjeturve nuk është çështje teknike, ajo është çështje juridike e drejtësisë. Ne mendojmë që këto diskutime që po bëhen dhe do të caktohen në marrëveshjen përfundimtare, me shpresë që do të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë çështja e të pagjeturve do të merr njëherë e përgjithmonë zotimin e Serbisë për denazifikimi dhe ballafaqimin me të kaluarën e vet kriminale. Atë do të mundohemi të paraqesim në këtë marrëveshje dhe kemi shkuar të kërkojmë atë. Serbia të hap dheun ku janë ato varrezat masive të rikthejë ata trupa, pa dashtë me hy tek pjesa e emocionit. Por ne jemi atje për të kërkuar drejtësinë…31:09 Ne kemi instituti që me arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të kemi një afat 18 mujor që Serbia do të marrë për obligim Serbia të respektojë këtë marrëveshje për çështjen e të pagjeturve. Kjo është të tregoj lokacionet e personave të pagjeturve dhe gjatë 18 muajve ne ti kemi përgjigjet e pikëpyetjeve që i kemi”, tha ai.

Kritika ndaj qeverisë Hoti për marrëveshjen e Uashingtonit, adresoi anëtarja e komisionit nga LVV-ja, Saranda Bogujevci e cila kërkoi sqarime shtesë për një pikë për të cilën tha se është bërë barazimi i të pagjeturve dhe zhvendosurve.

“Çka ka të bëjë tema e të pagjeturve me çështjen e të zhvendosurve. Çka nënkupton çështja e të zhvendosurve sepse këtu po flitet për zhvendosje të brendshme. A jemi tu pajtua që jemi ende territor i Serbisë, apo Republikë. A nënkupton kjo që duhet të bëhet shkëmbim mes të pagjeturve dhe të zhvendosurve. Qysh është e mundshme se si delegacion me lejua me hy në këtë paragraf edhe këto dy tema si baras”, tha ajo.

Këtë kritik e pranoi ministri Selimi, por tha se përfshirja e këtyre dy çështjeve në një paragraf ka ardhur si pasojë e një reflektimi të bisedimeve që kanë bërë edhe në Bruksel.

“E kemi pa pikën e marrëveshjes që ka hy në marrëveshjen e Uashingtonit. Unë e kuptoj edhe është legjitime që është në të njëjtin paragraf çështja e refugjatëve dhe të zhvendosurve. Ajo ka qenë një reflektim i rrjedhës së bisedimeve që kemi bërë në Bruksel. Një lloj rrjedhe që është shpërfaq edhe në marrëveshjen që është nën shkruar në Uashignton DC. Edhe pse marrëveshje ka kryesisht elemente ekonomike ne kemi insistuar që çështja e pagjeturve të jetë gjithmonë tema e parë që folim me Serbinë. Ne nuk kemi çka me hup sepse gjitha ato varreza masive janë në Serbi. Kemi pas mjaftueshëm me besu që shteti serb dhe administrata serbe e din ku janë ato varreza. Gjë që po identifikohet nga deklaratat e zyrtarëve të Serbisë”, tha ai.

Pjesë e këtij raportimi ishte edhe kryesuesi i delegacionit të Kosovës në grupin punues për çështjen e zhdukurve, Ibrahim Makolli, i cili tha se në Bruksel janë arritur parimet bazë për marrëveshjen për personat e zhdukur.

Ai theksoi se çështja e të zhdukurve nuk do të konsumohet deri kur të merret dënimi i merituar

“Çështja e të zhdukurve do të konsumohet jo vetëm kur gjendet personi i fundit në Kosovë, por kur do të merr dënimin e merituar edhe kryesi i fundit i veprave që ka bërë në Kosovë”, tha ai.

Akuza ndaj qeverisë Hoti shprehu edhe deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, e cila tha se kjo qeveri ka mungesë të theksuar të transparencës.

“Mendoj që mungesa e transparencës është alfa dhe omega e punës së këtij kryeministri dhe kësaj qeverie. Ky është shqetësimi im, mendoj që për grupe teknike që duhet të jenë të përgatitura mirë dhe profesionalisht. Po supozojmë që temat që i ngitni ju atje nuk janë të nivelit aq sa pandeh edhe kryeministri që nuk mund t’i paraqes para opinionit. Prandaj ju jeni këtu për të na dhënë të dhëna konkrete. Çfarë keni biseduar në Bruksel tri herë radhazi që keni shkuar, për çfarë parimi të punëve keni biseduar”, tha deputetja Ismaili.

Raportimin në këtë komision në momentet e fundit e refuzoi kryeministri Avdullah Hoti, i cili e delegoi ministrin e tij, Selim Selimi.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.