Shkëlzen Gashi ironizon LDK-në: “Kosova ka kohë me pritë deri sa t’ia qëllon Avdullah Hoti”

08.09.2026

Publicisti Shkëlzen Gashi ka ironizuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kërkesën e ish-kryeministrit Avdullah Hoti për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Në një shkrim në Facebook, Gashi ka përmendur emrat e figurave të ndryshme të LDK-së, duke thënë se partia fillimisht kishte shpresuar të arrinte sukses me Vjosa Osmanin dhe Lumir Abdixhikun, ndërsa tani, sipas tij, po shpreson se mund t’ia dalë me Kujtim Shalën dhe Hykmete Bajramin.

Gashi ka ironizuar se pas gjashtë muajsh mund të kërkohen sërish zgjedhje, këtë herë duke shpresuar te Arben Gashi dhe Armend Zemaj.

“E kështu deri sa, një ditë, LDK-ja ndoshta del e para. Kosova ka kohë me pritë deri sa t’ia qëllon Avdullah Hoti”, ka shkruar Gashi.

Postimi vjen në kuadër të debatit politik për mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja.