Pas anëtarësimit në KiE Kosova mund t’i bëjë padi Serbisë për të pagjeturit

28.03.2024

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Andin Hoti e sheh shumë të rëndësishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Pas anëtarësimit në KiE Kosova mund t’i bëjë padi Serbisë për të pagjeturit Foto: Ilustrim

Hapi i djeshëm në Komisionin e KiE-së, sipas tij, jep shpresa që Kosova pas anëtarësimit të plotë t’i bëj padi Serbisë për krimet që i ka bërë në Kosovë.  

Madje ai tha se anëtarësimi në KiE i hap rrugën shtetit të Kosovës që t’i bëjë padi Serbisë, në veçanti për personat e zhdukur dhe për informacionet që po i kërkojnë e nuk po i marrin nga Serbia.

Kosova dje bëri dhe një hap tutje drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare miratoi raportin, ku konstatohet që Shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Hoti shtoi se me anëtarësimin e plotë të Kosovës në KiE, Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit i jepet e drejta që të përdorën instancat ligjore. Ai tutje tregoi se deri tani janë bërë mbi 2800 gërmime dhe ende janë edhe 1598 persona të zhdukur.