Paralajmërim për temperatura të larta, Ministria e Shëndetësisë apelon për kujdes

24.06.2025

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar aktivizimin e Fazës 3 të Planit Aksional për valët e të nxehtit, duke paralajmëruar për temperatura jashtëzakonisht të larta që përbëjnë rrezik serioz për shëndetin publik.

Kjo fazë përfshin masa të shtuara mbrojtëse, me theks të veçantë për grupet më të ndjeshme si:

  • Personat mbi 60 vjeç
  • Gratë shtatzëna
  • Fëmijët e vegjël

Ministria ka apeluar që qytetarët të:

  • Qëndrojnë në ambiente të freskëta, veçanërisht gjatë orëve të pikut të temperaturave
  • Konsumojnë sasi të mjaftueshme të lëngjeve
  • Shmangin pijet alkoolike

Gjithashtu, punëdhënësit janë udhëzuar të riorganizojnë oraret e punës për punëtorët e ekspozuar ndaj të nxehtit dhe të ofrojnë kushte të përshtatshme pune, përfshirë mundësinë e punës në distancë kur është e mundur.

Institucionet shëndetësore dhe arsimore duhet të zbatojnë protokollet për situata emergjente, ndërsa Kryqi i Kuq dhe komunat do të intensifikojnë kujdesin dhe mbështetjen për të moshuarit dhe kategoritë më të rrezikuara të popullsisë.

Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, ndërsa moti ekstrem pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.