OVL-UÇK në pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së: “Pesë vite padrejtësie”
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka kujtuar sot pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë periudhë si “pesë vite padrejtësie” ndaj atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.
Foto: Ilustrim
Në një reagim zyrtar, OVL-UÇK thekson se heronjtë e luftës mbahen ende larg familjeve dhe atdheut për të cilin luftuan.
“Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike”, thuhet në reagim.
Ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – u arrestuan në nëntor të vitit 2020 me akuza për krime lufte, të cilat po trajtohen në Hagë. Aktakuza e Prokurorit të Specializuar përmban gjithsej dhjetë akuza, që lidhen me periudhën nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Pavarësisht se aktakuza u bë publike më 5 nëntor 2020, ajo ishte konfirmuar më 26 tetor të po atij viti. Dy vite më vonë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti akuza të reja, për të cilat të gjithë ish-krerët u deklaruan të pafajshëm.
Procesi gjyqësor ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë, ndërsa OVL-UÇK vazhdon të kërkojë drejtësi dhe lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.