Haxhiu pas aktgjykimit në Hagë: “Një ditë e rëndë për Kosovën, aktgjykimet nuk mund ta rishkruajnë historinë”

16.09.2026

U.D. e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas aktgjykimit të shpallur sot nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Haxhiu e ka cilësuar këtë ditë si të rëndë për familjet e të dënuarve, Republikën e Kosovës dhe kombin shqiptar.“Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë”, ka shkruar Haxhiu në një reagim në Facebook, duke shprehur solidaritet me familjet e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

Ajo ka theksuar se procesi juridik nuk ka përfunduar, duke përmendur të drejtën e ankimit.

“Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht”, ka shkruar ajo.

Haxhiu ka deklaruar gjithashtu se, sipas saj, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare dhe se ajo kishte lindur përballë shtypjes dhe dhunës së regjimit të Serbisë.

“Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë”, ka theksuar Haxhiu.

Në fund të reagimit, ajo ka bërë thirrje për qetësi, dinjitet dhe bashkim, duke thënë se Kosova duhet të vazhdojë t’i qëndrojë besnike drejtësisë, lirisë dhe asaj që e cilëson si të vërtetën e saj.

Dhomat e Specializuara në Hagë e kishin caktuar 16 shtatorin 2026 për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.