OVL-UÇK me aksion simbolik para EULEX-it: “Pesë vjet padrejtësi e organizuar”
Organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur sot një aksion simbolik para zyrave të EULEX-it në Prishtinë, në shenjë proteste për pesëvjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.
Përreth objektit të EULEX-it, pjesëmarrësit vendosën një shirit simbolik me mbishkrimin:
“Pesë vjet padrejtësi e organizuar, pesë vjet turp ndërkombëtar”.
Në këtë ngjarje foli kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i cili tha se edhe pas pesë vitesh, drejtësia për ish-udhëheqësit e UÇK-së mungon.
“Pikërisht më 5 nëntor të vitit 2020 u burgosën padrejtësisht njerëzit që sollën lirinë, paqen dhe pavarësinë e këtij vendi. Sot bëhen pesë vjet pafajësi, pesë vjet padrejtësi, pesë vjet larg familjes,” tha Gucati.
“Kemi dalë t’u dërgojmë mesazh UNMIK-ut, EULEX-it dhe ndërkombëtarëve se jeni duke mbajtur peng njerëzit që sollën lirinë dhe demokracinë në vend. EULEX-i po tenton ta barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e hordhive serbe – por ne nuk kemi bërë krime, ne kemi bërë paqe”, shtoi ai.
I pyetur për pritjet ndaj vendimit përfundimtar të Gjykatës Speciale, Gucati u shpreh skeptik:
“Rruga që ka marrë kjo gjykatë më bën të mos besoj më në drejtësinë e saj. Kjo është më shumë një gjykatë politike sesa që ndan drejtësi. Por besoj në Zotin se ata do të dalin të lirë.”
Në të njëjtin aktivitet foli edhe ish-ushtari i UÇK-së, Bujar Haradinaj, i cili kritikoi ashpër procesin gjyqësor në Hagë.
“Kjo gjykatë është themeluar nga Parlamenti i Kosovës, por për fat të keq nuk po ofron drejtësi. Procesi është i dobët, dëshmitarët shpesh janë të pabesueshëm dhe e gjithë kjo po e bën të qesharake një çështje që duhej të ishte serioze”, tha Haradinaj.
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me veprime simbolike dhe protesta për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim që nga viti 2020.