Osmani pret Limajn në takim konsultativ, në prag të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit
Në kuadër të konsultimeve me subjektet politike parlamentare, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Foto: Ilustrim
Takimi u zhvillua në prag të përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga dita e certifikimit të zgjedhjeve, përkatësisht deri më 26 korrik.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se zbatimi i këtij aktgjykimi përbën një detyrim të qartë kushtetues. Ajo nënvizoi rëndësinë që përfaqësuesit e subjekteve politike të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, për të arritur një zgjidhje të shpejtë dhe efektive në funksion të konstituimit të Kuvendit.