Haxhiu: Arritëm pajtim për të gjitha çështjet, Kuvendi konstituohet më 6 gusht
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është arritur pajtim i plotë për çështjet organizative dhe procedurale që lidhen me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Foto: Ilustrim
Haxhiu bëri të ditur se sot është mbajtur mbledhja përgatitore me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare të Legjislaturës së XI, në prag të seancës konstituive.
Sipas saj, seanca do të mbahet më 6 gusht, në orën 10:00, ndërsa në rend dite janë paraparë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, shqyrtimi i raportit të këtij komisioni, betimi i deputetëve, si dhe zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Ndërkohë, Haxhiu ka bërë të ditur se përgatitjet administrative për seancën kanë përfunduar, ndërsa regjistrimi i deputetëve të zgjedhur do të zhvillohet më 3, 4 dhe 5 gusht.
“Gjatë takimit u arrit pajtim i plotë për të gjitha çështjet organizative dhe procedurale të parapara me Rregulloren e Kuvendit”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka falënderuar përfaqësuesit e subjekteve politike për bashkëpunimin dhe seriozitetin gjatë shqyrtimit të çështjeve përgatitore.
