Osmani pret Begajn në takim të ngrohtë fundviti: Theksohet forcimi i bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri

10.12.2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim të ngrohtë fundviti me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ku u diskutua për bashkëpunimin e dy vendeve dhe rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se takimi ka qenë i përqendruar në vazhdimin e partneritetit të ngushtë mes dy shteteve shqiptare, duke theksuar se Kosova dhe Shqipëria duhet të qëndrojnë krah njëra-tjetrës në çdo hap.

“Në një takim të ngrohtë fundvitit, sot pata kënaqësinë ta pres Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me të cilin biseduam për bashkëpunimin tonë të pandalshëm dhe nevojën që Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës. Në prag të festave të fundvitit, i përcolla urimet më të përzemërta, me dëshirën që viti që vjen të sjellë edhe më shumë afërsi, më shumë bashkëpunim dhe hapa të suksesshëm drejt Bashkimit Evropian për dy shtetet tona”, ka shkruar Osmani.

Takimi u zhvillua në atmosferë festive dhe simbolizon edhe një herë marrëdhëniet e ngushta institucionale mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe përkushtimin për t’i thelluar ato në fusha të ndryshme.

Viti i ri pritet të sjellë dinamika të reja bashkëpunimi, me synim avancimin e proceseve integruese dhe forcimin e rolit të dy shteteve në skenën rajonale dhe evropiane.