Sulm i dyshuar digjital ndaj bizneseve në Shqipëri, Google ndërhyn për rikthimin e vlerësimeve
Një valë e dyshuar sulmesh digjitale ndaj bizneseve turistike në Shqipëri ka shkaktuar dëme në reputacionin online të hoteleve, bujtinave dhe restoranteve, përmes manipulimit të vlerësimeve në platformat e Google.
Foto: Ilustrim
Sipas pretendimeve të bëra publike, mijëra llogari të krijuara posaçërisht janë përdorur për të publikuar vlerësime negative dhe për të ulur artificialisht pikët e disa sipërmarrjeve, duke ndikuar në imazhin e tyre te klientët vendas dhe të huaj.
Pas denoncimeve nga bizneset dhe ndërhyrjes së autoriteteve shqiptare, Google ka nisur procesin e verifikimit dhe rikthimit të vlerësimeve të konsideruara të ligjshme, ndërsa disa profile biznesesh kanë filluar të rikuperojnë yjet e humbura.
Policia vijon hetimet për identifikimin e personave dhe strukturave që dyshohet se kanë organizuar këtë fushatë, ndërsa rasti është cilësuar si një nga sulmet më të mëdha ndaj reputacionit digjital të bizneseve në vend.
