Nesër vazhdon procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Sokol Dobruna dhe Halil Qadraku të thirrur të dëshmojnë

para 19 dite

Nga e hëna e kësaj jave pritet të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. 

Nesër vazhdon procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Sokol Dobruna dhe Halil Qadraku të thirrur të dëshmojnë

Sipas kalendarit të seancave, përveç të hënës, janë planifikuar edhe seanca për të martën, të mërkurën dhe të enjten.   

Siç mësohet, dy dëshmitarët e radhës në këtë proces pritet të jenë Sokol Dobruna dhe Halil Qadraku, të cilët tashmë kanë udhëtuar drejt Hagës. Që nga fillimi i gjykimit, mbi 100 dëshmitarë kanë dëshmuar në këtë çështje. Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës ka ende 43 dëshmitarë të tjerë në listë që pritet t’i thërrasë për të dëshmuar në sallën e gjyqit.

Një pjesë e konsiderueshme e këtij procesi gjyqësor është zhvilluar në seanca të mbyllura për publikun, me qëllim të mbrojtjes së identitetit të dëshmitarëve.

LEXO EDHE:  Pas Kilajt, Gjykata Speciale arreston edhe ish-shefin e AKI-së, Bashkim Smakaj

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë konfliktit të Kosovës në vitet 1998-1999. Akuzat përfshijnë vrasje, torturë dhe trajtim mizor. Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e ngritura.

Ky proces gjyqësor vazhdon të jetë një nga më të ndjekurit në Kosovë dhe rajon, duke pasur në konsideratë rolin historik të UÇK-së në luftën për pavarësinë e Kosovës dhe pasojat e mundshme të një vendimi të gjykatës.

Etiketat