Ndalohen 16 mijë lodra “Slime”, IQMT shqipton edhe 18 gjoba
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar gjithsej 149 inspektime gjatë javës së fundit, duke shqiptuar 18 gjoba për shkelje të ndryshme ligjore dhe duke ndaluar vendosjen në treg të 16 mijë lodrave të pasigurta.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, nga inspektimet e realizuara, 77 lëndë janë mbyllur, ndërsa 72 të tjera kanë mbetur në procedurë për shkak të nevojës për dokumentacion shtesë ose eliminimit të parregullsive. Gjithashtu, janë realizuar edhe 16 ri-inspektime.
Një nga rezultatet kryesore të këtyre kontrolleve ishte ndalimi i 16 mijë lodrave të pasigurta të llojit “Slime”, pas shtatë inspektimeve të përbashkëta me Doganën e Kosovës, në kuadër të aksioneve të planifikuara me projektin e GIZ-it.
Gjatë kontrolleve janë shqiptuar 18 gjoba për shkelje që përfshijnë mospërputhjen e çmimeve, mungesën e deklaracioneve të produkteve, moskonformitetin e produkteve të ndërtimit dhe mosrespektimin e urdhrave të inspektorëve.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe tregtimit të metaleve të çmuara, ku janë shqiptuar tetë gjoba për mungesë të dokumentimit të shenjëzimit, ndërsa janë bllombuar gjithsej 3,892.13 gramë metale të çmuara.
Inspektimet kanë përfshirë edhe sektorin e naftës dhe derivateve, verifikimin e mjeteve matëse, peshën e bukës në furra, produktet kozmetike, materialet e ndërtimit dhe udhërrëfyesit turistikë.
Nga Ministria bëhet e ditur se kontrollet do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të shkeljeve ligjore, rritjes së sigurisë së produkteve dhe mbrojtjes së konsumatorëve.
