Në Kosovë ulet kostoja e ndërtimit, por çmimi i banesave me tendenca rritjeje

12.12.2023

Sivjet, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të përfshira në indeksin e kostos së ndërtimit të sapo publikuar, krahasuar me vitin e kaluar, kostoja e ndërtimit pati rënie për 1,6 për qind. Në anën tjetër, çmimet e produkteve të ndërtimtarëve kosovarë (të banesave, ndonjë lokali afarist në kuadër të ndërtesave me banesa […]

Në Kosovë ulet kostoja e ndërtimit, por çmimi i banesave me tendenca rritjeje Foto: Ilustrim

Sivjet, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të përfshira në indeksin e kostos së ndërtimit të sapo publikuar, krahasuar me vitin e kaluar, kostoja e ndërtimit pati rënie për 1,6 për qind. Në anën tjetër, çmimet e produkteve të ndërtimtarëve kosovarë (të banesave, ndonjë lokali afarist në kuadër të ndërtesave me banesa kolektive si dhe të ndonjë kompleksi të shtëpive me oborr), jo vetëm që nuk kanë rënë fare, as në përqindjen e rënies së kostos së ndërtimit, por ato, ose kanë mbetur aty-këtu të pandryshuara, ose janë ngritur ndjeshëm.

Ndërtimtarët e Kosovës, ose nuk i përcjellin dhe nuk u interesojnë fare statistikat për indeksin e kostos së ndërtimit, ose janë të kënaqur me rrjedhat dhe flukset e shitblerjeve të produkteve të tyre e që janë kryekëput banesat dhe ndërtesat kolektive, dhe aty këtu edhe ndonjë kompleks, ose lagje shtëpish individuale me pak oborr dhe me planimetri identike të të gjitha shtëpive.

Ndryshe ska si të shpjegohet fakti se sivjet, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të përfshira në indeksin e kostos së ndërtimit të sapo publikuar, krahasuar me vitin e kaluar, kostoja e ndërtimit pati rënie për 1,6 për qind. Në anën tjetër, çmimet e produkteve të ndërtimtarëve kosovarë (të banesave, ndonjë lokali afarist në kuadër të ndërtesave me banesa kolektive si dhe të ndonjë kompleksi të shtëpive me oborr), jo vetëm që nuk kanë rënë fare, as në përqindjes e rënies së kostos së ndërtimit, por ato, ose kanë mbetur aty-këtu të pandryshuara, ose janë ngritur ndjeshëm.

“Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rënie -1,6% në TM3 2023, krahasuar me TM3 2022. Rënie më të madhe kishte te: energjia -44,9%, transporti -8,1%, dhe te materialet -1,5%. Ndërsa, rritje pati te: makineritë 4,0%, kostot e tjera 3,3% dhe pagat 3,1%”, thuhet në raportin e ASK-së. Po kështu sipas të dhënave të ASK-së, gjatë vitit 2022 ka rënë numri i shitblerjeve të pronave banesore në Kosovë. Kështu bëhet e ditur në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat i ka publikuar edhe instituti GAP. “Numri i shitblerjeve të pronave banesore në Kosovë në vitin 2022 del të jetë më i ulët se në vitin 2021”.

Vetëm në Prishtinë gjatë vitit 2022 pati 2 mijë e 576 shitblerje, përderisa një vit më herët pati 2 mijë e 799 sosh. Në Prizren gjatë vitit 2022 kishte 272 shitblerje përderisa më 2021 kishte më shumë se 100% më shumë. Gjatë vitit të kaluar por edhe gjatë këtij viti për një banesë të re në Prishtinë, varësisht lokacionit, blerësi duhet të paguajë nga 1,100 euro deri në mbi 2.500 euro për metër katror. Qendra e kryeqytetit, nuk llogaritet në këto çmime, pasi që në qendrën e Prishtinës (banesat përgjatë shesheve kryesore dhe të rrugëve në afërsi të drejtëpërdrejtë me sheshet), nëse ka ndonjë banesë në shitje, mos të llogaritë kush çmimin nën 3,500, por edhe përtej këtij çmimi.

Në këtë mënyrë, në aspektin e çmimeve, por edhe të ritmit të ndërtimeve, së fundi Prishtina po e ‘kopjon’ dhe po e ndjek këmba-këmbës Tiranën, e cila sipas ca vlerësimeve të asociacioneve të ndryshme që merren me zhvillimet në fushën e ndërtimeve, Tirana cilësohet si një nga shtatë kryeqytetet kryesore europiane me nivele të larta të papërballueshmërisë së blerjes së një banese.

Në një raport të Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, ku është bërë një vlerësim i profilit të Shqipërisë në aspektin e zhvillimit urban, strehimit dhe menaxhimit të tokës, nënvizohet se “Tirana është ndër shtatë qytetet kryesore evropiane me nivele të larta të papërballueshmërisë së banesave”.

Me fjalë të tjera, sipas këtij raporti “blerja e një banese nga familjet me të ardhura të ulëta është bërë e vështirë ose e papërballueshme”. Por, shkikuar ecuritë aktuale të çmimeve të një metri katror (gjithndej nëpër zonat) edhe tregu i banesave në Prishtinë, është bërë thuaja i paarritshëm për pjesën dërmuese të kosovarëve. Prandaj, statistikat tregojnë rënien e shitblerjeve të banesave në Kosovë.

Por, kjo rënie e shitblerjeve të banesave mes tjerash, vjen nga: rënia e fuqisë blerëse (ndikimi i rritjes te çmimeve tek qytetaret) dhe krizës se likuiditetit (bizneset kane vështirësi ne realizimin e investimeve dhe mbulimin e shpenzimeve), por edhe nga zbehja e interesimit të mërgatës sonë për të pasur me çdo kusht një banesë edhe në Kosovë’.

Sot kosovari i rëndomtë me nivelin aktual të çmimeve të banesave në Prishtinë, e ka tepër të vështirë, për të mos thënë sfidë të pakalueshme blerjen e një banese, për shkakun e limiteve të pasjes së parave të kërkuara për një banesë, qoftë edhe mesatare dhe fare e rëndomtë. Si gjithnjë, prinë Prishtina edhe për nga oferta edhe për nga çmimet e larta.

Këto ditë, në Prishtinë, më konkretisht në lagjet me ndërtim të përshpejtuar agresivisht, siç është aktualisht lagjja Velania (përballë të tërë përgjatësisë së Varrezave të dëshmorëve të Prishtinës), një metër katror e një banese kushton 1,500 euro me para kesh. Ndërsa me pagesën me rata (edhe për 100 deri në 200 euro më shumë për një metër katror. Ky çmim, sipas disa banorëve të këtushëm, që tashmë kanë lëshuar trojet dhe shtëpitë e tyre për ndërtim të banesave, është i palëkundur thuaja se, sikundër që është standardizuar çmimi i një garazhi prej 20 mijë eurosh.

Edhe në lagjet e tjera, ku vazhdon ndërtimi intenziv në kryeqytet, siç janë rruga B dhe C, që dikur konsideroheshin si periferi, tani një metër katror i një banese kushton përafërsisht sikundër edhe në Velani-1,500 euro. Ndërsa në lagjen e re “Kodrina”, çmimi i një metri katror të një banese me para në dorë edhe më tutje kushton 1,100 euro, ndërsa, tani e disa muaj metri katror i banesave me pagesë me rata për 10 vjet kushton 1,200 dhe 1,300 euro. Çmimet janë të pandryshuara, ose me një tendencë rritjeje të theksueshme edhe në Prizren – rreth 85 kilometra larg kryeqytetit – ndërsa pak më të ulëta janë në qytetet tjera, si: Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan dhe Pejë. Për krahasim, një metër katror i një banese në Fushë Kosovë – gjashtë kilometra larg Prishtinës – ka arritur në 650 euro e më shumë në mars të vitit 2022, nga 500 sa ka qenë vitin paraprak. Çmimi atje vazhdon të jetë i njëjtë.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në një raport të publikuar në muajin gusht të vitit të kaluar, kishte parashikuar se sektori i ndërtimit dhe i patundshmërive do të përballet me probleme financiare, për shkak të rritjes së kostove të produkteve dhe lëvizjes së çmimeve. Sipas raportit, përkeqësimi i situatës do të bëhet më evident, për shkak të “pasigurisë në sjelljen e diasporës kosovare”. Diaspora e Kosovës, sipas BQK-së, zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja, që bëhen kryesisht në patundshmëri. Duhet thënë se përkundër këtyre zhvillimeve në sektorin e ndërtimeve në Kosovë, nuk ka as parashikime për pritshmëritë e uljës eventuale të çmimeve të banesave.

Njëri nga ndërtimtarët kosovar në kushte anonimiteti ka thënë se, në Kosovë gjasat janë minimale për të ndodhur ulje çmimesh në shitblerjen e banesave. Sipas tij, do të ishte mirë të mos kishte shpërthim të ri çmimesh në sektorin e ndërtimtarisë, të cilat çmime, siç dihet, pas pandemisë dhe fillimit të luftës ruso-ukrainase janë ngritur tej mase dhe tej parashikimeve. Dhe, ndërkohë, tregu i banesave në Kosovë mbetët i veçantë dhe shumë interesant. E veçantë e tregut kosovarë të banesave është edhe çmimi, i cili përkundër rënies së tij në pjesën dërmuese të vendeve të botës, te ne, ose po mbahet goxha konstant në 3-4 muajt e fundit, ose po ngritet ndjeshëm në disa zona dhe qendra komunale. Në Kosovë, vazhdon të ketë shumë ofertë (numër enorm të madh të banesave në shitje), si rrjedhojë e ndërtimeve me ritëm imponues të ringjallur pas pandemisë COVID19, por njëkohësisht vazhdojnë të mbretërojnë çmime të larta, sidomos krahasuar me gjendjen financiare të kosovarëve dhe fuqisë të kufuziar blerëse të tyre. Këto veçanti të tregut të banesave në Kosovë i bëjnë më të komplikuara parashikimet dhe vizionet për të ardhmen e ecurive të çmimeve në tregun e banesave në Kosovë.