ASK: Rriten eksportet e Kosovës drejt Zvicrës dhe Holandës, përmirësohet bilanci tregtar
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për tregtinë e jashtme gjatë vitit 2025, të cilat tregojnë përmirësim të marrëdhënieve tregtare të Kosovës me Holandën dhe Zvicrën.
Foto: Ilustrim
Sipas statistikave, me Holandën deficiti tregtar është zvogëluar me 21.4 për qind, duke rënë nga 34.4 milionë euro në 27.1 milionë euro. Në të njëjtën kohë, eksportet e Kosovës drejt këtij shteti janë rritur me 13.3 për qind, ndërsa importet kanë shënuar rënie prej 6.7 për qind.
Ndërkaq, tregtia me Zvicrën vazhdon të jetë pozitive për Kosovën. Bilanci pozitiv tregtar është rritur me 11.8 për qind, duke arritur në 51.1 milionë euro. Eksportet janë rritur me 15.1 për qind, ndërsa mbulueshmëria e importeve nga eksportet ka mbetur shumë e lartë, në 205.9 për qind.
Këto rezultate, sipas të dhënave të ASK-së, dëshmojnë për rritjen e potencialit të prodhuesve dhe eksportuesve kosovarë në tregjet ndërkombëtare dhe theksojnë rëndësinë e vazhdimit të investimeve në konkurrueshmërinë e ekonomisë së vendit.
