Aeroporti i Prishtinës regjistron rënie të fluturimeve dhe pasagjerëve

14.07.2026

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka regjistruar rënie të numrit të fluturimeve dhe udhëtarëve gjatë muajit maj 2026, sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas ASK-së, gjatë këtij muaji janë realizuar 1.099 fluturime, që paraqet një ulje prej 6 për qind krahasuar me majin e vitit 2025.

Edhe numri i udhëtarëve ka shënuar rënie. Në maj të këtij viti në aeroport janë regjistruar 366.360 udhëtarë, ose 4 për qind më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i udhëtarëve në nisje ka rënë me 7.3 për qind, ndërsa ai i udhëtarëve në ardhje me 0.4 për qind.

Ndërkohë, në transportin hekurudhor është shënuar një rritje e lehtë, ku janë regjistruar 8.628 udhëtarë, apo 1.6 për qind më shumë se në maj 2025.

ASK ka raportuar gjithashtu rritje në përdorimin e telefonisë mobile. Numri i përdoruesve me parapagim ka arritur në 1.516.860, ndërsa përdoruesit me kontratë kanë shënuar rritje në 318.946.

Të dhënat e reja tregojnë ndryshime në trendet e transportit dhe komunikimit në Kosovë gjatë muajit maj 2026.