Nagavci i gëzohet fillimit të mësimit në disa shkolla, fton mësimdhënësit të hapin edhe shkollat tjera
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci i është gëzuar fillimit të mësimit në disa shkolla të vendit tonë, ku edhe iu ka bërë thirrje mësimdhënësve që t’iu kthehen shkollave. Ajo tha se më vjen mirë që fëmijët në shumë shkolla të Gjakovës, tashmë po fillojnë vitin e ri shkollor, po aq […]
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci i është gëzuar fillimit të mësimit në disa shkolla të vendit tonë, ku edhe iu ka bërë thirrje mësimdhënësve që t’iu kthehen shkollave.
Ajo tha se më vjen mirë që fëmijët në shumë shkolla të Gjakovës, tashmë po fillojnë vitin e ri shkollor, po aq sa më vjen keq që shumë të tjerë në Kosovë i gjen mesi i shtatorit pa mundësinë për të qenë në shkollë me shokët e shoqet, me mësuesit e mësueset e tyre.
Ministrja Nagavci ka falënderuar mësimdhënësit e këtyre shkollave dhe të gjithë ata mësimdhënës kudo në Kosovë, që kanë kuputar drejt situatën dhe kërkesën e ministrisë për fillimin e mësimit dhe veprimet serioze që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për përmirësim të situatën financiare të të gjithë qytetarëve, këtu përfshirë mësimdhënësit si dhe familjet e tyre.
“I falënderoj mësimdhënësit e Gjakovës dhe të gjithë ata mësimdhënës kudo në Kosovë, që e kanë kuptuar drejt situatën, kërkesën tonë për fillimin e mësimit dhe veprimet serioze që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për ta përmirësuar situatën financiare të të gjithë qytetarëve, përfshirë mësimdhënësit dhe familjet e tyre”.
Ajo thotë se me këtë veprim këta mësimdhënës që u janë kthyer shkollave kanë treguar devotshmëri e dashuri dhe kanë marrë parasysh interesin parësorë të fëmijëve.
Nagavci ka thënë se Ligji i Pagave këtë javë do të dalë në diskutim publik.
“Ju bëj thirrje që t’i ktheheni procesit mësimor të gjithë, të kryeni misionin e rëndësishëm që keni, duke i motivuar fëmijët që të arrijnë të kompenzojnë edhe humbjet e shkaktuara nga pandemia”.
“Ashtu siç e theksoi edhe kryeministri Kurti në konferencën për media, Ligji për pagat këtë javë do të dalë në debat publik. Ju siguroj se po punojmë pa ndalë për të përmirësuar situatën në arsim edhe me veprime të tjera konkrete”.
Gjithashtu, e para e MASHTI-t ka shtuar se dialogu social mund edhe të vazhdoj tutje pa e dëmtuar të ardhmen e fëmijëve, kështu duke shkuar në shkolla e t’i ndjekin mësimet.
“Duke e respektuar të drejtën e secilit për pagë më të mirë e jetë më të dinjitetshme në Kosovë, ju siguroj edhe një herë se jam skajshmërisht e përkushtuar që të bëjmë më të mirën brenda mundësive që kemi. I mirëkuptoj kërkesat tuaja dhe ju kam në vëmendje të vazhdueshme, por dialogu social mund të vazhdojë tutje edhe pa e dëmtuar të ardhmen e fëmijëve”.
Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do ta lënë anash asnjë shqetësim të mësimdhënësve, duke përfshirë mirëqenien e tyre.
“Nuk do të lëmë anash asnjë shqetësim të mësimdhënësve, përfshirë mirëqenien tuaj, ashtu siç kemi marrë një sërë veprimesh konkrete deri më tani për të zgjidhë secilën vështirësi me të cilën ballafaqoheni”, deklaroi Nagavci.