MASHTI: Afati i fundit për verifikimin e aplikimeve në e-Kosova, deri më 10 tetor 2025
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se platforma e-Kosova për verifikimin e aplikimeve për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore do të qëndrojë e hapur vetëm deri të premten, më 10 tetor 2025, në orën 23:59.
Foto: Ilustrim
Në njoftim u bëhet thirrje të gjithë koordinatorëve të shkollave që nuk e kanë përfunduar ende procesin e verifikimit, që ta bëjnë këtë brenda afatit të përcaktuar, për të mundësuar përmbylljen me sukses të procesit.
“Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, janë edhe 2,789 aplikime në pritje që duhet të shqyrtohen nga koordinatorët shkollorë”, thuhet në komunikatën e MASHTI-t.
Në rast të ndonjë vështirësie teknike, MASHTI njofton se ndihma teknike është në dispozicion përmes emailit libri@rks-gov.net, si dhe në numrat e telefonit: +383 (0) 38 200 65 058 dhe +383 45 834 248.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), nga 15 gushti deri më 3 tetor 2025, përmes platformës janë pranuar 204,283 aplikime, prej të cilave:
- 201,494 janë trajtuar,
- 196,057 janë aprovuar,
- 5,437 janë refuzuar.
MASHTI falënderon koordinatorët për punën dhe përkushtimin e treguar deri tani dhe thekson rëndësinë e përfundimit të këtij procesi në kohën e duhur.