Licencimi i mësimdhënësve – Konstituohet Këshilli dhe përcaktohet drejtimi i ri

08.12.2025

Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve është konstituuar sot zyrtarisht, në një mbledhje ku mori pjesë edhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Gjatë mbledhjes u zgjodh edhe udhëheqësia e re e Këshillit, me Anita Kadriun si kryetare dhe Edi Gaxha Pukën si nënkryetare, të cilat do të udhëheqin punën e këtij organi në mandatin e ardhshëm.

Ministrja Nagavci falënderoi anëtarët për angazhimin dhe përgjegjësitë e rëndësishme që mbajnë në procesin e licencimit të mësimdhënësve, duke e vlerësuar këtë proces si shtyllë themelore për funksionimin dhe zhvillimin e arsimit parauniversitar në vend.

Ajo theksoi se Këshilli ka luajtur një rol qendror në sigurimin e standardeve profesionale të mësimdhënësve, duke vepruar në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të qëndrueshme, pavarësisht sfidave të vazhdueshme ligjore dhe ndërinstitucionale.

Nagavci theksoi se për Këshillin dhe Ministrinë mbetet shumë punë përpara, duke nënvizuar se sfidat aktuale burojnë nga legjislacioni në fuqi, kufizimet financiare dhe koordinimi ndërinstitucional. Ajo siguroi se MASHTI do të vazhdojë të mbështesë Këshillin në çdo hap, me qëllim që proceset e licencimit të jenë sa më të qarta, transparente dhe në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit në Kosovë.

Anëtarët e Këshillit shprehën gatishmërinë e tyre për të intensifikuar angazhimin në përmirësimin e cilësisë në arsim dhe për ta thelluar bashkëpunimin me Ministrinë, duke theksuar se licencimi mbetet një proces kyç për zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe forcimin e sistemit arsimor në tërësi.