MSH ndau 6 milion euro për trajtim të pacientëve jashtë vendit në vitin 2021

09.02.2022

Ministria e Shëndetësisë në vitin 2021 ka ndarë fondin prej 6 milion eurosh për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka pasur ndryshime në buxhet, konkretisht nga kursimet në kategoritë Mallra dhe Kapitale, rritje të masës buxhetore në kategorinë Transfere dhe Subvencione për 440,000€. ‘’Qeveria e Kosovës duke u bazuar […]

MSH ndau 6 milion euro për trajtim të pacientëve jashtë vendit në vitin 2021 Foto: Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë në vitin 2021 ka ndarë fondin prej 6 milion eurosh për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka pasur ndryshime në buxhet, konkretisht nga kursimet në kategoritë Mallra dhe Kapitale, rritje të masës buxhetore në kategorinë Transfere dhe Subvencione për 440,000€.

‘’Qeveria e Kosovës duke u bazuar në kërkesat e shumta që kemi adresuar për mbulimin e obligimeve të shumta në kategorinë Subvencione, në periudhën e fundit të vitit 2021, ka ndarë 3 milion euro,  për t’i mbuluar një pjesë të obligimeve. Për vitin 2021 total buxheti për programin për Trajtim Mjekësore Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike kishte arritur në mbi 9 milion, duke mbuluar edhe borxhe të vitit të kaluar’’, thanë nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Në kuadër të këtij programi gjatë vitit 2021 brenda vendit janë shpenzuar rreth 440 mijë euro, ndërkaq të tjerat jashtë Kosovës.

Institucionet publike shëndetësore në Kosovë vazhdojnë të mos i ofrojnë disa shërbime, për të cilat pacientët detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit, por që sfida më e madhe mbetet për fëmijët të cilët lindin me anomali në zemër. Sipas profesionistëve shëndetësorë, janë rreth 400 fëmijë në vit që lindin me anomali në zemër.

Prej tyre, rreth 200 kanë nevojë për intervenim kirurgjik, shërbim të cilin u duhet ta marrin jashtë vendit. Gjithashtu sëmundjet e leukemisë nuk trajtohen brenda Kosovës.

Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë i tha Radio Kosovës se ky fond ka mundësuar që pacientët të marrin trajtimet që nuk mund ti marrin brenda vendit apo në institucione publike shëndetësore.

‘’Për çdo pacient fondi paguan deri në 30 mijë euro. Ndërsa kur pro-fatura është mbi këtë vlerë mund të vendosë vetëm Qeveria. Kjo nuk vlen për fëmijët nën 18 vjeç, sikurse edhe kategoritë e ndryshme si invalidët e luftës. Ndërsa për personat e moshës mbi 18 vjeç fondi bën pagesën e 70 përqind të shërbimit që do ta merr pacienti qoftë në institucione private apo jashtë vendit’’, tha Hoti.

Ndërkaq, përkundër aplikimit të 1 mijë e 122 personave për të përfituar nga fondi nuk dihet sa persona kanë përfituar. Kjo pasi, sipas zyrtarëve në këtë fond, varet nga numri i rasteve të cilat delegohen nga Komisionet Konziliare të Klinikave të QKUK-së si dhe nga plotësimi i kushteve dhe kritereve, të cilat parashihen me Udhëzimin Administrativ.

Sidoqoftë, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, patën deklaruar se sipas disa hulumtimeve të bëra nga Banka Botërore vitet paraprake, për një vit, pacientët kosovarë kanë shpenzuar nga xhepi i tyre rreth 80 milionë euro për t’u shëruar jashtë vendit. /Radio Kosova