Moscertifikimi i Listës Serbe, Zyba: Sikur të vepronin partitë tjera si ne, ata s’do ishin në Kuvend
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Sipas Zybas, investimi i këtij subjekti politik nga Serbia në Kosovë ka qenë një përpjekje për çrregullim dhe ndryshim të gjendjes shtetërore, mekanizmave të shtetit dhe territorit të Kosovës. “Kjo është e dëshmuar dhe e vërtetë”, ka theksuar ai.
Ai ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qasje ndaj këtij subjekti politik, pasi që as Lista Serbe nuk ka ndryshuar qasje ndaj shtetit të Kosovës.
Sa i përket bazës ligjore, Zyba thekson se moscertifikimi i një subjekti politik është një e drejtë ligjore, të cilën e mbështet Vetëvendosje, e cila përfaqësohet në KQZ me dy anëtarë. Ai ka bërë të qartë se qëndrimi i VV-së vlen vetëm për Listën Serbe dhe jo për çdo qytetar serb që jeton në Kosovë.
“Po të kishin partitë tjera qëndrime të njëjta si VV-ja ndaj Listës Serbe, kjo listë nuk do të kishte qenë e pranishme në Kuvend dhe nuk do të kishte asnjë fuqi vendimmarrëse në shtetin e Kosovës”, ka përfunduar Zyba.